Rusia dërgon materiale bërthamore në Bjellorusi, rriten tensionet në rajon

21/05/2026 09:47

Rusia ka dërguar materiale bërthamore në Bjellorusi në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes dy vendeve, njoftoi ministria ruse e Mbrojtjes.

Sipas Moskës, pajisjet bërthamore janë transportuar në depot ushtarake në Bjellorusi si pjesë e ushtrimeve për gatishmërinë e forcave bërthamore.

Autoritetet ruse deklaruan se trupat bjelloruse po trajnohen për përdorimin e municioneve speciale për sistemin raketor taktik “Iskander-M”. “Municionet bërthamore janë dorëzuar në objektet e magazinimit në zonën e brigadës së raketave në Bjellorusi”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Kjo është dita e tretë radhazi që Moska dhe Minsku raportojnë për ushtrime të lidhura me armët bërthamore. Një ditë më parë, Rusia njoftoi se mbi 64 mijë ushtarë morën pjesë në stërvitje për “nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake”.

Ndërsa të hënën, ushtria bjelloruse deklaroi se kishte zhvilluar trajnime për vendosjen e armëve bërthamore në zona të ndryshme të vendit.

Autoritetet bjelloruse theksuan se stërvitjet nuk synojnë asnjë shtet tjetër dhe nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale.

Megjithatë, zhvillimet kanë ngritur shqetësime në Perëndim, pasi Bjellorusia kufizohet me Ukrainën dhe tre vende anëtare të NATO-s.

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko pranoi në vitin 2023 vendosjen e armëve taktike bërthamore ruse në territorin e vendit, në një lëvizje që u kritikua gjerësisht nga vendet perëndimore.

Top Channel