Prapaskenat e grumbullimit të Neymar për Botërorin 2026/ Ancelotti hezitoi deri në momentin e fundit, si ndryshoi mendje tekniku italian

21/05/2026 18:06

Përfshirja e Neymar në listën e Brazilit për Kupën e Botës 2026 ka shkaktuar debat të madh në vendin amerikano-latin, duke ndarë opinionin publik, tifozët dhe madje edhe politikën braziliane.

Vendimi i trajnerit Carlo Ancelotti për të grumbulluar sulmuesin 34-vjeçar është konsideruar nga shumë si një bast i rrezikshëm, për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike dhe mungesës së formës së lojtarit.

Sipas mediave britanike, Ancelotti kishte hezituar deri në momentet e fundit për përfshirjen e Neymarit, ndërsa presioni nga Federata Braziliane dhe vetë lojtarët e kombëtares luajti rol kyç në vendim. Mes atyre që mbështetën rikthimin e tij ishte edhe Casemiro, i cili thuhet se udhëhoqi diskutimet me trajnerin italian për rëndësinë e Neymarit në skuadër.

Raportohet se Neymar zhvilloi edhe një videotelefonatë emocionale me Ancelottin, ku i premtoi se do të respektonte disiplinën dhe do të ndihmonte ekipin edhe nëse aktivizohej vetëm për pak minuta.

Megjithatë, dyshimet mbi gjendjen fizike të sulmuesit janë shtuar edhe më shumë pas lajmeve se ai ka pësuar një tjetër dëmtim. Neymar nuk ka luajtur me Brazilin prej tre vitesh dhe goli i fundit me kombëtaren daton në vitin 2023.

Aktualisht pjesë e Santos, Neymar ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje këtë sezon, ndërsa dëmtimet kanë shoqëruar rikthimin e tij në klubin ku nisi karrierën.

Vendimi i Ancelottit ka sjellë edhe kritika të shumta, pasi emra si João Pedro dhe Richarlison mbetën jashtë listës.

Pavarësisht polemikave, shumë tifozë brazilianë vazhdojnë ta shohin Neymarin si simbolin e shpresave për rikthimin e Brazilit te titulli botëror, që mungon që prej vitit 2002. Kur emri i tij u shpall zyrtarisht nga Ancelotti, në disa qytete braziliane shpërthyen festime me fishekzjarre dhe brohoritje nga tifozët.

Top Channel