Pas Trump, në Pekin pritet vizita e Putin. Rusia kërkon të mos mbetet jashtë lojës globale

19/05/2026 14:01

Presidenti rus Vladimir Putin po udhëton drejt Kinës për t’u takuar me homologun kinez Xi Jinping, më pak se një javë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump përfundoi vizitën e tij në Pekin.

Putin do të qëndrojë atje sot dhe nesër, në një vizitë që pritet të mbërthejë vëmendjen mediatike në një kohë kur Kina duket se po tenton të ruajë një marrëdhënie të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ana tjetër, të mbajë të pandryshuara relatat e forta me Rusinë.

Kremlini njoftoi se dy udhëheqësit kanë në plan të diskutojnë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, por edhe “çështje kyçe ndërkombëtare dhe rajonale”. Vizita përkon me 25-vjetorin e Traktatit të Miqësisë Ruso-Kineze, i nënshkruar në vitin 2001. Kina është kthyer në partnere kryesore të Rusisë, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Pekini ka këmbëngulur ta përshkruajë veten si neutral në këtë konflikt, por ndërkohë të mbajë marrëdhënie tregtare me Kremlinin pavarësisht sanksioneve ekonomike dhe financiare nga SHBA dhe Europa.

Analisti politik kinez Jianli Yang e nënvizon faktin që Trump sapo ishte larguar nga Kina kur u bë e ditur se Putin do të mbërrinte në Pekin më 19 maj për një tjetër takim me liderin kinez. Simbolika e kësaj lëvizjeje, sipas ekspertit, është e qartë. Vizita e Putinit, shprehet ai, nuk është thjesht një takim tjetër dypalësh. Ajo është një ngjarje me pasoja të thella për marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, dhe edhe më e rëndësishmja, për konturet e rendit të ri global që po formësohet.

Jianli Yang shkruan se për shumë komentues, koha e zgjedhur për këtë rrugëtim krijoi në mënyrë të pashmangshme përshtypjen se Putin ka frikë të jetë “në menu” dhe jo “në tryezë”, çka nënkupton frikën se SHBA dhe Kina mund të jenë duke diskutuar një ekuilibër të ri global dhe Rusia rrezikon të mos ketë shumë ndikim në ato biseda, prandaj dhe Putini nxitoi të shkonte në Pekin për të forcuar pozicionin e tij dhe për t’u siguruar që Moska është palë aktive, jo subjekt negociatash mes të tjerëve.

Top Channel