Lamine Yamal pritet të mungojë në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026 për Spanjën, ndërsa vazhdon rikuperimin nga një dëmtim në kofshë.

Sulmuesi 18-vjeçar nuk do të jetë gati për sfidën e parë të fazës së grupeve kundër Kepit të Gjelbër më 15 qershor dhe mbetet në dyshim edhe për ndeshjen ndaj Arabisë Saudite më 21 qershor.

Sipas burimeve pranë procesit të rehabilitimit, Federata Spanjolle e Futbollit po bashkëpunon ngushtë me Barcelonën për monitorimin e gjendjes së lojtarit, me stafin mjekësor që ka zhvilluar vizita të rregullta në klub.

Yamal pësoi dëmtimin gjatë fitores së Barcelonës ndaj Celta Vigo në La Liga muajin e kaluar, duke humbur pjesën e mbetur të sezonit. Barcelona konfirmoi se talenti spanjoll do të ndjekë një plan konservativ trajtimi për të shmangur rikthimin e parakohshëm.

Ndeshja e fundit e Spanjës në grup do të jetë kundër Uruguai më 26 qershor dhe ekziston optimizëm që Yamal mund të rikthehet deri atëherë.

Pavarësisht dëmtimit, sezoni i tij ishte mbresëlënës. Yamal zhvilloi 45 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 24 gola dhe 16 asistime, ndërsa ndihmoi Barcelonën të mbrojë titullin kampion.

Me kombëtaren spanjolle, Yamal numëron tashmë 25 paraqitje dhe gjashtë gola që prej debutimit në moshën 16-vjeçare.

Ai ishte një nga protagonistët e triumfit të Spanjës në Euro 2024 dhe përfundoi i dyti në garën për Topin e Artë 2025.

Top Channel