“Nuk e mbaj dot më motrën time”/ Drama prekëse e Valbonës me motrën të sëmurë mendore dhe zgjidhja që erdhi pas ndërhyrjes së Fiks Fare
Një histori e dhimbshme që zgjat prej më shumë se pesë dekadash u trajtua në emisionin “Fiks Fare”.
Kujtim Aruçi denoncon se prej vitit 1970 kërkon të vëllanë, i cili u zhduk gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Fier dhe për të cilin familja nuk mori kurrë një përgjigje të qartë.
Sipas Kujtimit, i vëllai kishte përfunduar studimet e larta dhe kishte punuar për dy vite si mësues, përpara se të niste ushtrinë. Ai tregon se në vitin e parë të shërbimit ishte vlerësuar si ushtar i dalluar.

Familja mësoi për zhdukjen e tij në mënyrë krejt rastësore. Vëllai tjetër i Kujtimit, i cili në atë kohë kryente shërbimin ushtarak në Sarandë, shkoi ta takonte në repartin ku shërbente në Fier, por aty iu tha se ushtari ishte zhdukur.
Pas këtij lajmi, familjarët nisën kërkimet. Kujtimi kujton se babai shkoi vetë në repart, por nuk mori asnjë shpjegim. “Vetëm na thanë se nuk e dinin ku kishte shkuar”, shprehet ai.

Në atë kohë Kujtimi ishte vetëm 15 vjeç. Ai tregon se prindërit e kërkuan djalin deri në ditët e fundit të jetës, por pa rezultat. Edhe pas vdekjes së babait, ai thotë se nuk ka lënë institucion pa trokitur për të mësuar fatin e të vëllait.
“Njëherë më thonë se nuk e gjejnë emrin e tij si ushtar, ndërkohë unë kam librezën ushtarake”, thotë ai, ndërsa shton se çdo vit merr certifikatën familjare ku i vëllai rezulton ende i gjallë.
Kujtimi ngre dyshime edhe për mënyrën sesi u trajtua rasti në atë periudhë. Sipas tij, është e pakuptueshme si një ushtar mund të mungonte për 21 ditë në repart pa u vënë re, ndërsa eprorët e repartit vijuan karrierën dhe u ngritën në detyrë pa asnjë përgjegjësi.

Ai shprehet se pas kaq vitesh nuk di më çfarë të mendojë, por dyshon se pas zhdukjes mund të ketë pasur ndërhyrje nga shteti i asaj kohe.
Në duar mban dhjetëra shkresa dhe dokumente të institucioneve shtetërore, të cilat sipas tij nuk i dhanë kurrë një përgjigje konkrete. Mes tyre ndodhen letrat që ushtari u dërgonte familjarëve, por edhe përgjigje zyrtare që vetëm konfirmojnë zhdukjen e tij.

Ndërkohë, Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se Prokuroria e Fierit duhet të kishte nisur ndjekje penale për personat përgjegjës. Megjithatë, sipas përgjigjeve zyrtare, prokuroria është justifikuar me mungesën e dokumentacionit dhe të dhënave për ngjarjet e asaj periudhe.

Top Channel