Ancelotti i bën “qejfin” brazilianëve, trajneri italian gati të sakrifikojë yllin e Chelsea-t për të grumbulluar Neymar-in në Botëror

16/05/2026 09:32

Vetëm pak javë më parë, situata dukej mjaft e vështirë për ish-yllin e Paris Saint-Germain, Neymar. I penguar nga dëmtimet e shumta dhe larg kombëtares braziliane që prej dëmtimit serioz kundër Uruguait, sulmuesi dukej jashtë planeve të stafit teknik të Seleçaos.

Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm në javët e fundit.

Pas nëntë ndeshjeve radhazi si titullar me Santos, numri 10 i Brazilit ka rigjetur formën dhe ritmin e tij. Paraqitjet e fundit kanë bërë që një pjesë e stafit të kombëtares të rishqyrtojë seriozisht vendin e tij në skuadrën që po ndërtohet për Kupën e Botës 2026.

Sipas ESPN Brazil, Carlo Ancelotti ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar, por Neymar tashmë konsiderohet një opsion real për listën finale. Trajneri italian dëshiron të presë deri në momentin e fundit për të vlerësuar të gjithë faktorët që lidhen me lojtarin: gjendjen fizike, ndikimin teknik dhe rolin e tij në dhomat e zhveshjes.

Debati brenda Federata Braziliane e Futbollit mbetet i fortë. Disa drejtues besojnë se Ancelotti ka eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar personalitetin e Neymarit, edhe nëse ai nuk është titullar i padiskutueshëm.

Nga ana tjetër, ekziston shqetësimi se prania e tij në skuadër pa një vend të garantuar në formacion mund të ndikojë në ekuilibrin e grupit.

Mediat braziliane raportojnë se rikthimi i Neymarit po trondit hierarkinë sulmuese të kombëtares dhe se João Pedro mund të jetë lojtari që rrezikon të mbetet jashtë listës nëse sulmuesi i Santos përfshihet në skuadër.

Vendimi final pritet të bëhet publik me shpalljen zyrtare të listës së Brazilit. Pas muajsh pasigurie, Neymar tani duket më pranë se kurrë një shansi të fundit për lavdi në Kupën e Botës me fanellën e verdhë të Seleçaos.

Top Channel