“Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm kërcënim i madh për BE-në”, publikohet raporti europian për sigurinë: Alarmuese rekrutimi i të miturve, përfshirë edhe 12-vjeçarë
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë organizoi sot simpoziumin me temë “Së Bashku për Familjen: Dialog Ndërfetar dhe Institucional”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.
Në këtë simpozium morën pjesë drejtuesit e komuniteteve fetare në vend, përfaqësues institucionesh, anëtarë të bordeve drejtuese, si dhe përfaqësues të Departamenteve të Gruas dhe Rinisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi rëndësinë jetike të familjes në ruajtjen e paqes sociale, edukimit dhe vlerave njerëzore e shpirtërore.
Ai u shpreh se familja mbetet institucioni themelor mbi të cilin ndërtohet shoqëria dhe se sfidat moderne kërkojnë një angazhim të përbashkët institucional dhe moral për mbrojtjen e saj.
“Familja është vendi ku njeriu mëson për herë të parë kuptimin e dashurisë, të përgjegjësisë, të sakrificës dhe të respektit për tjetrin dhe Zotin. Asnjë shoqëri nuk ka arritur të ndërtojë paqen e saj pa paqen brenda familjes”, u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi edhe përgjegjësinë që komunitetet fetare kanë ndaj shoqërisë dhe familjes shqiptare.
“Ne, si komunitete fetare, kemi përgjegjësinë jo vetëm të flasim për familjen, por të jemi pranë saj, pranë të rinjve, prindërve, të moshuarve, pranë atyre që ndihen të vetmuar, të pasigurt apo të humbur në një kohë që ndryshon me shpejtësi”, u shpreh ai.
Në vijim të aktivitetit, përfaqësues të Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar diskutuan mbi vlerat familjare në traditat fetare dhe rolin e komuniteteve fetare në mbështetjen e familjes shqiptare.
Më pas u zhvillua paneli i diskutimit i organizuar nga Departamenti i Gruas dhe i Rinisë, ku përfaqësues nga komunitetet fetare trajtuan tema që lidhen me emigracionin dhe ndikimin e tij në strukturën familjare, sfidat e teknologjisë në marrëdhëniet familjare, edukimin dhe rolin e prindërimit, si dhe nevojën për forcimin e rolit të gruas në stabilitetin familjar.
Kujtojmë se ky takim vjen në një periudhë ku vazhdimisht aktivistë të komunitetit LGBTQI kanë kërkuar që të kenë të drejtën e zyrtarizmit të lidhjeve mes së njëjtës gjini.
Top Channel