Raporti i Qeverisë për integrimin në BE, Berisha: Nuk i dilni as për zot, e mbani sekret për qytetarët. Peleshi: Është diskutuar në komision, këtu votohet rezoluta

14/05/2026 10:49

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se maxhoranca po mban sekret një raport për integrimin në BE dhe nuk pranon ta lexojë gjatë diskutime në seancë.

Në fjalën e tij ai tha se shumica nuk po i del për zot këtij raporti, për të cilin në fund do të votohet edhe një rezolutë.

“Raporti për integrimin në BE është mashtrim dhe vetëm mashtrim. Ky është një akt jashtëzakonisht I rëndë. Në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, ju paraqisni një raport që nuk pranoni ta lexoni dhe vendosni me një akt anti-kushtetues që raporti të mos lexohet. Kërkoj që të tëehiqet menjëherë raporti. Është fund e krye mashtrim”, tha Berisha.

Sipas tij “Sa I përket performancës, të gjitha janë trillime. Të gjitha nxijnë nga një figurë, nga Edi Rama dhe lubia. Raporti nuk miratohet, duhet të lexohet këtu dhe mbi bazën e raportit të lexuar, të bëhen diskutimet dhe pastaj të votohet rezoluta. Ju bëni axhendën sipas qejfit tuaj. Si ka mundësi të diskutojmë për një raport që qytetarët nuk e dinë se çfarë është. E kanë mbushur fund e krye me mashtrime”.

Në përgjigje të kritikave të Berishës, kreu I Kuvendit, Niko Peleshi tha se “Raporti lexohet dhe diskutohet në komisione, këtu paraqitet rezoluta. Do të kemi pesë orë në dispozicion për të diskutuar. Dikush mund të japë opinionin e tij, dikush mund të lexojë pjesë raporti. Kjo është në zgjedhjen tuaj”.

Top Channel