Botërori 2026, FIFA, rregulla më të ashpra për mbajtjet nga fanelat…
Sezoni i Romelu Lukakut me Napolin u mbyll. Pas tentativave të vështira për paqe në Castel Volturno me Antonio Conten, sulmuesi u kthye në Belgjikë për të punuar në mënyrë që të rikuperohet për në Botërorin e këtij viti.
Vendimi është marrë në mënyrë konsensuale me klubin dhe vetë trajnerin që menduan se kjo është zgjedhja më e mirë për gjendjen fizike të Big Rom, që pikërisht këtë të mërkurë feston 33 vjetorin e tij të lindjes.
Romelu Lukaku do të stërvitet në qendrën stërvitore të kombëtares belge për të tentuar të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi që nuk e ka lënë në paqe që nga gushti i 2025, një dëmtim i shkallës së lartë në kofshën e majtë. Rehabilitimi i tij nuk ka qenë asnjëherë i plotë dhe shqetëson ende, edhe në kuadër të botërorit në Amerikën e Veriut; trajneri Rudi Garcia do të donte ta rishihte në fushën e lojës për të vlerësuar progresin e tij, por tani do të detyrohet të kënaqet me përgjigje konkrete nga stërvitjet e personalizuara të sulmuesit që do t’i ndjekë nga afër.
Në 2 dhe 6 qershor, Belgjika do të luajë miqësore ndaj Kroacisë dhe Tunizisë, ndërsa në 15 qershor do të bëjë debutimin në Botëror me ndeshjen ndaj Egjiptit, kështu që nuk është aspak e sigurt se Lukaku do të fluturojë drejt tokës amerikane bashkë me pjesën tjetër të skuadrës.
Sigurisht ai nuk do të kthehet në Napoli për 2 ndeshjet e fundit ndaj Pisas dhe Udineses, vendimtare këto për skuadrën e Contes për të blinduar kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Një vendim ky që duket se përafron edhe lamtumirën e futbollistit nga Napoli pas një sezoni të turbulluar ku nuk u pa asnjëherë Lukaku që kontribuoi në fitoren t 4-t të titullit të Serie A për Napolin.
Top Channel