Protesta e banorëve në Durrës për projektin “TID”, qytetarët grumbullohen para bashkisë: Të shqetësuar nga mungesa e informacionit

13/05/2026 20:36

Banorë të prekur nga projekti TID për rijetëzimin e qendrës historike të Durrësit u mblodhën sërish këtë të mërkurë para Bashkisë së qytetit, duke kërkuar sqarime dhe transparencë mbi ecurinë e zbatimit të projektit.

Edhe këtë herë ata kërkuan takim me kryetaren e bashkisë, por u pritën nga drejtuesja ligjore e institucionit, Alneida Rroshi. Pas takimit, përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, tha se sipas informacionit të marrë po kryhet një proces i plotë rishikimi i objekteve dhe verifikimi i statusit të tyre ligjor, përpara vijimit të procedurave për shpronësim apo ndryshim destinacioni të pronave.

Banorët shprehen se shqetësim mbetet mungesa e informacionit të detajuar dhe afateve konkrete, ndërsa kërkojnë informacion dhe nga Ministria e Kulturës që pritet të zbresë në terren për rivlerësimin e situatës së secilit objekt, pas kundërshtimeve të vazhdueshme të banorëve.

Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë zonën e amfiteatrit antik dhe bulevardin “Epidamn”. Sipas të dhënave, preken rreth 74 familje dhe pritet rishikim edhe i fondit të kompensimit për banorët.

 

 

Top Channel