Meta tregon çfarë nënkuptonte me simbolin me 7 gishta, ankohet për sallën e re të GJKKO-së: Kondicioneri rridhte ujë sikur binte shi

12/05/2026 18:00

Ilir Meta ka reaguar  sërish pas seancës gjyqësore, duke treguar se çfarë nënkuptoi me simbolin me 7 gishta.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta falënderon gazetaren dhe moderatoren e “Shqipëria Live” në Top Channel, Sidorela Gjoni, ku tregon se çfarë nënkuptoi me simbolin që bëri në sallë.

Postimi i Metës:

𝐍𝐣𝐞̈ 𝐟𝐚𝐥𝐞𝐧𝐝𝐞𝐫𝐢𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐫𝐞 𝐬𝐪𝐚𝐫𝐢𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐧 𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫, 𝐙𝐧𝐣. 𝐒𝐢𝐝𝐨𝐫𝐞𝐥𝐚 𝐆𝐣𝐨𝐧𝐢!

Dua t’ju falenderoj për vëmendjen që i kushtoni procesit gjyqësor ndaj meje pasi ju ndoqa në bisedën me avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani, i cili më kishte lajmëruar më parë.

Po kështu, ju falenderoj për përpjekjet që po bëni për të realizuar një intervistë me mua këtu në IEVP “Jordan Misja”.

Deri tani në hapësirën gjeografike, midis Ishujve Azore dhe Vladivostokut, jam i vetmi i burgosur politik që nuk lejohet të intervistohet drejtpërdrejt nga gazetarët edhe pse disa prej tyre kanë marrë leje nga SPAK.

Lidhur me simbolin me numrin 7, avokati nuk pati mundësi ta dëgjonte sepse unë ju drejtova deputetëve të pranishëm se standardet e kafazit, nuk ishin me 5 yje por me 7 yje.

I vetmi problem që ndodhi dje, meqënëse ishte inauguruar dhe salla e re, kishte të bënte me kondicionerin sepse filloi të rridhte ujë nga tavani, sikur të binte shi, ndoshta ngaqë nuk është kolauduar mirëmbajtja e sallës akoma.

Një sqarim tjetër, në vijim të interesimit tuaj, është se jam shumë falenderues ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Prof. Dr. Sali Berisha për solidaritetin e tij dhe deputetëve demokratë, po kështu edhe për ndërkombëtarizimin prej tij të çështjes time.

Ndërsa sa i takon librit tim, do të jetë për 10 vitet e fundit, për t’u treguar shqiptarëve se si Reforma në Drejtësi, që u votua me 140 vota, sipas standardeve të Komisionit të Venecias, u shndërrua në Ramaformë me standarde si ato të “Lanës”, të denoncuara publikisht nga unë si President i Republikës edhe përpara Mitingut madhështor të 2 Marsit 2020.

Nuk po zgjatem më tej, por ju uroj të çani me sukses bllokadën dhe të bëjmë intervistën live këtu në IEVP “Jordan Misja”.

Ju e dini, unë jam i hapur për çdo pyetje!

Top Channel