Përkujtohet 5 Maji në Bulqizë, Dita e Dëshmorëve të Kombit, homazhe pranë lapidarit të qytetit

05/05/2026 11:58

Në Bulqizë, në datën 5 Maj, Dita e Dëshmorëve u përkujtua me homazhe pranë lapidarit të qytetit, në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.

Kryetarja e bashkisë së Bulqizës Festime Mjeshtri  theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke shprehur mirënjohje të thellë për çdo person që kontribuoi dhe u flijua për çlirimin e Shqipërisë. Ajo u shpreh se kujtimi i dëshmorëve mbetet një frymëzim për të punuar çdo ditë për një Shqipëri më të mirë dhe më të bukur.

Ndërkohë, kryetari i veteranëve, Xhevat Jella, në fjalën e tij u ndal tek sakrifica e madhe e banorëve të kësaj zone, duke theksuar se në Bulqizë numërohen 227 dëshmorë, si dhe shumë efektivë policie që kanë dhënë jetën në shërbim të atdheut.

Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule dhe një minutë heshtje, në shenjë respekti dhe nderimi për të rënët.

Top Channel