“Makina përfundoi në trotuar”/ Zbardhet dëshmia e shoferit që në gjendje të dehur përplasi për vdekje fëmijët në Durrës: Qëndrova te dyqani derisa…

05/05/2026 14:42

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 57-vjeçarin Nikoll Radaçi i cili në gjendje të hequr përplasi me makinë tre fëmijët në Durrës, dy prej të cilëve fatkeqësisht humbën jetën.

Para togave të policisë, kur është arrestuar ai ka dhënë versionin e tij të dëshmisë, duke thënë se mjeti doli nga rruga sepse tentoi të shmangte një tjetër mjet që doli nga rrugica, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.

“Rreth orës 14.00 kam dalë nga shtëpia bashkë me mjetin me targa AB 909 PC dhe do të shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës.

Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani derisa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, ka deklaruar i akuzuari gjatë marrjes në pyetje, deklaratë që është lexuar gjatë fjalës së prokurores sot në seancë.

Top Channel