‘I kënaqur për golin, por rezultati nuk na përfaqëson. Kthehemi të punojmë më shumë se më parë. Faleminderit tifozëve për mbështetjen e jashtëzakonshme’-ky është mesazhi i Dusan Vlahovic në rrjetet sociale pas barazimit zhgënjyes me Veronën dhe që pasqyron një Juventus të ndarë mes të tashmes dhe të ardhmes.

Ka shumë në lojë, duke nisur nga të ardhurat e garantuara nga kualifikimi në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Por është edhe një rinovim kontrate, ai i sulmuesit serb që çdo ditë tregon nga një histori të re.

Tifozët bardhezinj kanë vendosur; po të ishte për ta, Vlahovic do të duhet të jetë qendësulmuesi titullar i skuadrës edhe sezonin e ardhshëm. Në Torino e kanë vënë rë ketë, por ende nuk ka një marrëveshje. Fajin e ka hendeku mes kërkesës dhe ofertës që mbetet i madh sidomos përsa i përket komisioneve dhe bonusit për firmën

Po Juventusit a i intereson me të vërtetë të vazhdojë me Vlahovic? Po, sepse sulmuesit e tjerë të skuadrës nuk janë aspak në lartësinë e sulmuesit serb, por të thuash se Vlahovic është sulmuesi më i mirë për një skuadër që dëshiron të kthehet të triumfojë, është pak e tepërt. Mes dëmtimeve dhe problemeve të ndryshme, Vlahovic  këtë vit është ndalur në kuotën e 7 golave të shënuar dhe që nga momenti që është transferuar në Torino nuk e ka arritur asnjëherë kuotën e 20 golave, shifra këto që nuk janë aspak të jashtëzakonshme dhe që ngrejnë dyshime për vlerën reale të tij.

Duke lënë mënjanë Cristiano Ronaldon, krahasimi me të cilin nuk qëndron, mund të themi që Vlahovic ka shifra të ngjashme me të Moratës, por inferiore në krahasim me Tevez, Dybalas apo Higuain që e kanë kaluar limitin e 20 golave sezonalë me fanelën bardhezi.

Pra, është më mirë të synohet Robert Leëandoëski? Është thënë që duhen të paktën dy prurje të reja në repartin ofensiv, polaku ka palmares të pasur, por në të njëjtën kohë ai është 37 vjeç dhe këtë vit është ndalur në kuotën e 18 golave. Pra për të po vjen fundi i karrierës së tij të jashtëzakonshme. Të duash të investosh tek ai dhe jo te një lojtar i nivelit të lartë dhe të perspektivës, të krijon shumë dyshime. Me fjalë të tjera, përshtypja është se Vlahovic, për Juventusin është një zgjedhje e detyruar më shumë se me bindje dhe ndoshta edhe për këtë arsye e gjithë kjo histori u zgjat shumë.

Top Channel