Starmer në krizë pas sondazheve/ Laburistët drejt humbjes, por kryeministri britanik synon të mbijetojë në krye

04/05/2026 19:32

Në zgjedhjet lokale të së enjtes, të parat provë e rëndësishme elektorale pas ardhjes në pushtet të Laburistëve afro dy vjet më parë, partia e kryeministrit Starmer pritet të pësojë një humbje spektakolare dhe të gjitha sondazhet flasin se partia anti-emigracion e Nigel Farage dhe të Gjelbrit e Polanksit, një i majtë i thekur, do të shkaktojë një tërmet me një humbje neto në shifrën e 1850 vendeve në këshillat lokale në mbarë Britaninë.

Sondazhet parashikojnë se Laburistët do të humbasin për herë të parë Uellsin që nga viti 1999 në kohën e Toni Blerit, ndërkohë mund të zbresin në vendin e tretë në Skoci, si parti politike, pas “Reformës” dhe Nacionalistëve skocezë. Rezultati i pritshëm e ka vendosur kryeministrin Starmer në gjendje mbijetese politike, apo siç quhet rëndom, Starmagedon, dhe rivalët e tij jo të pakët në parti janë duke i shkruar eulogjinë politike.

Por përkrahësit e kryeministrit, në përpjekje për të çvlerësuar atë që e quajnë si ekspeditë peshkimi nga rivalët dhe media britanike, thonë se kryeministri nuk ka ndërmend të pranojë ndonjë marrëveshje, pakt apo afat kohor për t’u larguar nga Downing Street.

Rivalët e Starmer dhe mbështetësit e ministrit aktual të Shëndetësisë, ish-zëvendëskryeministres së larguar për një aferë taksash nga posti, dhe kryebashkiakut të Mançesterit, kanë avancuar aq shumë në plane, sa kanë hartuar edhe lista kabinetesh të kryeministrave të ardhshëm. Ndërkohë spekulimet shkojnë deri te riafrimi i qeverisë së ish-zëvendëskryeministres Angela Rayner, e cila gëzon popullaritet në të majtën e Laburistëve të qendrës së majtë, në kuadër të ndryshimeve të mundshme dhe të detyrueshme të kabinetit në kushtet e një humbjeje të thellë këtë javë.

Edhe pse disa deputetë laburistë, siç po shkojnë punët, duket se ndihen të rrezikuar nga politikat e qeverisë së tyre për vendin e deputetit në zonat respektive elektorale, dhe janë të ethshëm për një ndryshim kursi qeverisës, sërish nuk besojnë se një garë e re brenda partisë për postin e kryeministrit është e pashmangshme.

Në qarqet politike dhe mediatike mbizotëron ideja se Starmer mund të mos jetë kryeministri më i mirë për momentin, por më i mirë se ai ende nuk ka në arenën politike nga laburistët, dhe kjo më shumë për shkak të staturës dhe lojës së tij në skakierën ndërkombëtare, ku ai, argumentueshëm, rezulton përgjithësisht më i suksesshëm në punët e botës sesa në administrimin e sfidave të Britanisë.

Top Channel