Polemikat për biletat, presidenti i FIFA-s: Janë të shtrenjta, por kemi shitur 90% të tyre
Çmimet e biletave për finalen e Kupës së Botës kanë arritur nivele rekord, duke u rishitur për më shumë se 2 milionë dollarë në platformën zyrtare FIFA Marketplace.
Në këtë treg, përdoruesit kanë mundësinë të rishesin biletat e tyre duke vendosur vetë çmimin, ndërsa FIFA aplikon një komision prej 15% si për blerësin ashtu edhe për shitësin.
Sipas të dhënave, një biletë e kategorisë 1 është listuar me çmimin 2,299,998.85 dollarë. Këto vende ndodhen në pjesën e sipërme të tribunës së poshtme, pas portës dhe pranë daljeve të stadiumit. Ndërkohë, një tjetër biletë me të njëjtin çmim është ofruar edhe në pjesët më të larta të stadiumit.
Edhe çmimet më “të ulëta” mbeten shumë të larta: një biletë standarde për finalen kushton rreth 11 mijë dollarë, ndërsa biletat për persona me aftësi të kufizuara, si ato për karrige me rrota, arrijnë deri në rreth 15 mijë dollarë.
Në një reagim për mediat, një zëdhënës i FIFA-s theksoi se platforma e rishitjes ofron një mjedis të sigurt dhe transparent për tifozët.
“Tregu i rishitjes i FIFA-s garanton një proces të mbrojtur për shitjen dhe transferimin e biletave. Tarifat janë në përputhje me standardet e industrisë së sportit dhe argëtimit në Amerikën e Veriut,” thuhet në deklaratë.
Top Channel