“Dhurata” e Trump për Britaninë pas vizitës së Charles dhe Camilla, ai heq tarifat për uiskin dhe burbonin

30/04/2026 21:25

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të heqë tarifat dhe kufizimet për uiskin dhe burbonin, në një vendim që e lidhi drejtpërdrejt me vizitën e fundit të çiftit mbretëror britanik në Shtetet e Bashkuara.

Menjëherë pas takimit të lamtumirës me Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla në Shtëpinë e Bardhë, Trump reagoi përmes një postimi në platformën Truth Social. Ai theksoi se vendimi për heqjen e tarifave vjen “në nder të Mbretit dhe Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar”, të cilët sapo kishin përfunduar vizitën e tyre në Uashington.
Në deklaratën e tij, presidenti amerikan shpjegoi se masat do të prekin sektorin e uiskit dhe burbonit, duke përmendur veçanërisht bashkëpunimin mes Skocisë dhe shtetit amerikan të Kentucky-t, dy rajone të njohura globalisht për prodhimin e këtyre pijeve. Sipas tij, bëhet fjalë për industri shumë të rëndësishme për të dyja palët, të cilat kanë pasur prej kohësh shkëmbime tregtare.

Trump shtoi se një vendim i tillë ishte kërkuar prej kohësh, duke nënvizuar se marrëdhëniet tregtare në këtë sektor kanë qenë të forta dhe me interes të ndërsjellë. Ai përdori gjithashtu një ton humoristik, duke thënë se “Mbreti dhe Mbretëresha më vunë të bëja diçka që askush tjetër nuk ishte në gjendje ta bënte, pa më pyetur fare”.
Në fund të mesazhit të tij, Trump e cilësoi si një nder praninë e çiftit mbretëror në SHBA, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Top Channel