Në një foto të postuar prej tij, guaskat e detit ishin vendosur për të formuar shifrën “86 47”, çka u interpretua si kërcënim ndaj presidentit Donald Trump, pasi numri 86 shpesh përdoret si shkurtim për “heqjen qafe të dikujt”, dhe Trump është presidenti i 47-të.
Comey më pas e fshiu postimin dhe kërkoi falje, duke theksuar se nuk ishte i vetëdijshëm për kuptimin e dhunshëm të numrave. “Nuk më shkoi kurrë ndërmend; unë vetë kundërshtoj dhunën në çdo formë të saj, kështu që e hoqa postimin,” shkroi ai në Instagram.
Aktakuza nënvizon se një person i arsyeshëm mund ta interpretonte postimin si një “shprehje serioze të qëllimit për t’i bërë dëm presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Comey akuzohet për dy vepra penale: kërcënim ndaj presidentit dhe përcjellje të këtij kërcënimi përmes mediave sociale, përtej kufijve shtetërorë. Të dyja akuzat parashikojnë gjobë dhe burg deri në pesë vjet.
Avokati i tij, Patrick Fitzgerald, i mohoi akuzat, për të cilat u shpreh se do t’i kundërshtojnë në sallën e gjyqit dhe do ta shfajësojnë ish-shefin e FBI-së.