Kryeministri i Maltës, Robert Abela, njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 30 maj, disa muaj përpara përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.
Në një postim në rrjetet sociale, Abela bëri të ditur se i ka kërkuar Presidentit shpërndarjen e parlamentit, ndërsa konfirmoi se do të kandidojë për një mandat të tretë radhazi. Ai theksoi se synon të sigurojë “stabilitet” për vendin në një periudhë të tensionuar ndërkombëtare.
“Vendi ynë ka nevojë për një qeveri të zgjedhur, me një mandat të ri, të përqendruar vetëm në nevojat e vendit, duke pasur parasysh sfidat që ekzistojnë në mjedisin aktual. Muajt e ardhshëm do të jenë kritikë”, deklaroi kryeministri.
In light of the current global realities and challenges ahead, our country needs a renewed mandate to move forward with stability. I will be recommending to H.E. President Myriam Spiteri Debono the dissolution of Parliament for a general election on May 30.
— Robert Abela (@RobertAbela_MT) April 27, 2026
Abela iu referua gjithashtu krizës energjetike të lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se qeveria e tij synon të garantojë stabilitet pavarësisht evolucionit të situatës ndërkombëtare, përfshirë tensionet që lidhen me Iran.
Në këto zgjedhje, Partia Laburiste e Maltës synon të sigurojë një fitore të katërt radhazi. Ndërkohë, në kampin opozitar, lideri i ri i Partisë Nacionaliste (konservatore), Alex Borg, do të përballet me testin e tij të parë elektoral.
Zgjedhjet pritet të zhvillohen në një klimë të ndikuar nga sfidat ekonomike dhe gjeopolitike, ndërsa rezultati i tyre do të përcaktojë drejtimin politik të Maltës në vitet e ardhshme.
Top Channel