80% e bizneseve në shkelje/ Nga informaliteti, mungesa e kontratave të punës dhe sigurisë për punëtorët

27/04/2026 15:20

Katër në pesë biznese të kontrolluara gjatë vitit 2025 kanë rezultuar me shkelje të legjislacionit të punës. Raporti vjetor i vitit 2025 i Inspektoratit të Punës evidenton se 79 për qind e subjekteve të inspektuara kanë pasur problematika, duke e kthyer shkeljen në normë dhe jo përjashtim.

Informaliteti vijon të mbetet kryesori. Nga kontrollet janë identifikuar 2591 punonjës informalë dhe afro 3 mijë raste pa kontrata pune. Raporti nënvizon se shumica u formalizuan pas ndërhyrjes së inspektoratit, por vetë shifrat tregojnë përmasën e fenomenit.

Një tjetër tregues problematikë janë ankesat e punëmarrësve. Sipas raportit, 7 në 10 ankesa të trajtuara kanë rezultuar të drejta, çka nxjerr në pah shkelje të përsëritura ndaj të drejtave në punë.

“Shkeljet më të shpeshta të evidentuara lidhen me mospagimin e ditëve të festave zyrtare, pushimeve javore, orëve shtesë, si dhe me mungesën e kontratave të punës”, shkruan Inspektoriati i Punës.

Në fokus mbetet edhe siguria në punë. Gjatë vitit janë regjistruar 48 viktima nga aksidentet në punë, me sektorin e ndërtimit, që vijon të konsiderohet ndër më problematikët.

Për të gjitha shkeljet në punë inspektoriati regjistron 268 gjoba me vlerë totale 64,5 milionë lekë. E ndërsa kontrollet dhe penalitetet janë shtuar, raporti evidenton se niveli i lartë i shkeljeve tregon se problematikat vijojnë të mbeten strukturore.

Top Channel