22 murgj arrestohen në Sri Lanka me 110 kg kanabis në aeroport, dyshohet rrjet i organizuar

27/04/2026 16:40

Një rast i pazakontë është zbuluar në Sri Lanka, ku 22 murgj janë arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Kolombos, pasi në bagazhet e tyre u gjetën rreth 110 kilogramë kanabis.

Sipas autoriteteve, droga ishte fshehur me kujdes në “mure të rreme” të krijuara posaçërisht në valixhe, ndërsa secili prej tyre mbante rreth 5 kilogramë të llojit të fuqishëm “Kush”.
Murgjit, shumica studentë, po ktheheshin nga një udhëtim katër-ditor në Tajlandë, i cili dyshohet se ishte financuar nga një donator ende i paidentifikuar. Policia ka arrestuar gjithashtu një tjetër murg, i cili dyshohet se organizoi udhëtimin, por nuk mori pjesë në të dhe u gjet më vonë në një periferi të Kolombos.


Sipas hetimeve paraprake, organizatori i dyshuar i kishte bindur murgjit se bagazhet përmbanin “dhurime” që do të merreshin nga persona të tjerë pas mbërritjes. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që disa prej tyre të mos kenë qenë në dijeni për përmbajtjen reale të valixheve.
Ndërkohë, telefonat celularë të të arrestuarve janë sekuestruar dhe po analizohen. Sipas Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Drogat, në to janë gjetur foto dhe video nga udhëtimi në Tajlandë, ku murgjit shfaqen në aktivitete turistike dhe në momente relaksi.
Sasia e drogës ishte fshehur mes furnizimeve shkollore dhe ëmbëlsirave, çka përforcon dyshimet për një plan të mirëorganizuar. 22 murgjit u paraqitën para gjykatës dhe u lanë në paraburgim për shtatë ditë, ndërsa hetimet vijojnë. Sipas autoriteteve, ky është rasti i parë në vend ku një numër kaq i madh murgjish përfshihet në një rast trafiku droge përmes aeroportit.

Top Channel