Komentet e kreut të shtetit ukrainas erdhën në kohën kur bisedimet e paqes, të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë ngecur gjatë javëve të fundit.
“Është jetike për Ukrainën që Rusia të gjejë forcën për të ndalur këtë luftë të padrejtë. Bakuja mund të ndërmjetësojë procesin diplomatik për t’i dhënë fund këtij konflikti,” tha Zelensky.
Zelensky shtoi se e “kanë informuar presidentin e Azerbajxhanit se janë të gatshëm për bisedime trepalëshe,” duke shtuar se Kievi ka zhvilluar tashmë negociata të tilla në Turqi dhe Zvicër. “Sigurisht, ne jemi gati edhe për bisedime në Azerbajxhan, për sa kohë Rusia është e përgatitur për diplomaci,” shtoi ai.
Kremlini e ka refuzuar deri më tani idenë që dy udhëheqësit të takohen diku tjetër përveç Moskës. Rusia i ka vijuar bombardimet në Ukrainë dhe ofensivën ushtarake, e Kremlini nuk i ka zbutur kërkesat e tij maksimaliste dhe ka refuzuar vazhdimisht çdo kompromis.
Kievi, nga ana e tij, sqaroi se Zelensky është i gatshëm të takohet me Putinin në çdo vend përveç Rusisë ose Bjellorusisë, e cila ka mbështetur luftën totale të Moskës dhe ishte një nga bazat nga ku nisi pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë në vitin 2022.