Macron paralajmëron për SHBA-në, Rusinë dhe Kinën: Europa nën presion

25/04/2026 15:46

Në një moment të tensionuar ndërkombëtar, presidenti francez Emmanuel Macron dha nga Athina një paralajmërim të fortë për Europën, duke vendosur në të njëjtin plan presionin e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.

“Së pari, nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se ky është një moment unik ku një president i SHBA-së, një president rus, një president kinez janë të vendosur kundër evropianëve. Nëse nuk besojmë te vetja, nuk kemi shanse”, tha Macron.

Deklaratat u bënë gjatë diskutimit publik me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ku Macron ngriti çështjen e autonomisë strategjike të Bashkimit Europian, duke theksuar sfidat nga Kina dhe pasiguritë në marrëdhënien me SHBA.

Vizita dyditore në Athinë u kurorëzua mesditën e së shtunës me një moment simbolik në portin e Pireut, aty ku dy liderët vizituan fregatën moderne “Kimon”, një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit ushtarak mes Greqisë dhe Francës.

Nën tingujt e himneve kombëtare dhe me fluturimet e avionëve Rafale, Macron dhe Mitsotakis inspektuan ekuipazhin dhe u njohën nga afër me kapacitetet e një prej sistemeve më të avancuara të marinës greke.

Vizita në “Kimon” konsiderohet si prelud i marrëveshjes së re strategjike mes Athinës dhe Parisit, që shtrihet përtej mbrojtjes, në ekonomi, teknologji dhe energji, me një afat pesëvjeçar. Mesazhi më i fortë politik për Greqinë erdhi një ditë më parë, me një deklaratë të drejtpërdrejtë për mbështetjen franceze ndaj Athinës në rast kërcënimi të sovranitetit.

“Nëse sovraniteti juaj vihet në rrezik, bëni atë që duhet për vendin tuaj. Ne do të jemi këtu”, tha Macron.

Nga zyra kryeministrore Megaro Maximu, dy liderët konfirmuan se marrëdhënia strategjike mes dy vendeve forcohet më tej, duke theksuar se solidariteti europian ndërtohet me veprime konkrete.

Mitsotakis e cilësoi presidentin francez një aleat të qëndrueshëm europian dhe një mik të vërtetë të Greqisë, duke theksuar se marrëdhënia Athinë–Paris është shumëdimensionale, e ndërtuar mbi lidhje historike, vlera të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta.

Top Channel