Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal, duke u përmbysur.

Si pasojë e këtij aksidenti tragjik kanë humbur jetën dy persona, babë e bijë, Anton Keçi dhe Bora Keçi. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes së së shtunës, raporton korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda.

Kanë qenë familjarët ata që, të shqetësuar për mungesën e kontaktit, kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre. Ndërkohë, gjatë një patrullimi në zonë, shërbimet e policisë kanë konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe trupat e pajetë të viktimave. Vështirësia për gjetjen e tyre ishte e madhe, pasi kanali ishte thuajse i padukshëm.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 21:45 të datës 25.04.2026, në Komisariatin e Policisë Lezhë është paraqitur djali i shtetasit A. K., i cili ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me babain dhe me motrën e tij, të cilët ishin nisur për në punë me automjetin e tyre.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e tyre.

Në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre në një kanal me ujë.

Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit A. K., 54 vjeç, dhe B. K., 20 vjeçe (babë e bijë).

Paraprakisht dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij nga ana e drejtueses së automjetit, shtetases B. K.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të daljes nga rruga të automjetit dhe për dokumentimin e plotë ligjor.

Top Channel