“Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”/ PD-ja publikon mesazhin, pretendojnë se është e ministrit Hoxha: Deklaratë skandaloze dhe fyese, të mbajë përgjegjësi

24/04/2026 18:31

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka publikuar një mesazh të cilin pretendon se i përket ministri të Jashtëm, Ferit Hoxha, kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në Facebook, Këlliçi shprehet se gjuha e përdorur nga ministri tregon arrogancë dhe se ai duhet të mbajë përgjegjësi.

“Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, është mesazhi i publikuar, siç tregohet tek fotoja.

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "-Ferit Hoxha +32 +32470514348 470 51 43 48 ~DSARM +355 69 204 355692040007 0007 Gazeta Nova Makedonija shkruan: Sipas saj, deklarata e Edi Rama se sh... Po ata idiotet shqiptare atje cfare thone? 11:02"

“A do mbajë përgjegjësi Ferit Hoxha për mënyrën si shprehet për shqiptarët?! Eshtë pikërisht komunikimi në një grup chat-it në Ministrinë e Jashtme, mes titullarit dhe disa funksionarëve të lartë, që tregon çfarë në të vërtetë Ferit Hoxha mendon për bashkëkombasit tanë në Maqedoni të Veriut. Lehtësia me të cilën ai shprehet në këtë mënyrë fyese, është pak të thuhet arrogancë.

Ky etiketim, kjo gjuhë ordinere i ka habitur aq shumë punonjësit e Ministrisë së Jashtme që janë pjesë e këtij grupi komunikimi në whatsapp, sa kanë nisur ta shpërndajnë. Ferit Hoxha nuk mund të jetë një kryediplomat i Tiranës nëse mendon në këtë mënyrë për shqiptarët. Edhe nëse do të ishte në një audiencë të kufizuar, të kontrolluar dhe me besim të plotë në konfidencialitet, një diplomat karriere që i është besuar drejtimi i Ministrisë së Jashtme s’ka se si të përdorë këtë gjuhë.

Eshtë e papranueshme. Ka vetëm një mënyrë që ai të provojë se ka shërbyer në qendrat më të rëndësishme të botës. Të mbajë përgjegjësi për këtë komunikim, ashtu siç do bënte një diplomat karriere në Bruksel, New-York, NATO, Paris, e kudo në perendim“, thuhet në reagimin e Këlliçit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar po ashtu, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Hoxha.

“Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo gjuhë e papërgjegjshme dhe denigruese jo vetëm që cenon rëndë dinjitetin e shqiptarëve, por krijon bindjen se kemi të bëjmë me një përfaqësues që flet në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë. Kjo deklaratë është e denjë vetëm për Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç.

Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve. Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë”, shkruan Bardhi.

 

 

Top Channel