Në prag të sezonit turistik, aksion për pastrimin e zonës bregdetare dhe pyllit të Sodës, angazhohen dhe nxënësit e shkollave

24/04/2026 11:19

Në Vlorë është zhvilluar sot një aksion masiv për pastrimin e zonës bregdetare, dhe pyllit të Sodës në prag të sezonit turistik.

Nisma është ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me synimin për të nxitur ndërgjegjësimin qytetar dhe për të promovuar vullnetarizmin.

Prefektja e qarkut të Vlorës Evis Allushi është shprehur se ky aksion do të vijojë edhe në javët në vijim jo vetëm nëpër plazhe por dhe në zonat e banuara, dhe duhet të sensibilizohen të gjithë banorët pasi kjo nismë nuk do të mbetet e izoluar, por do të vijojë edhe në zonat e banuara, përmes aktiviteteve të tjera pastrimi në javët në vijim. Po ashtu në këtë aksion kanë marrë pjesë nxënës, banorë, forcat e armatosura.

“Jemi në prag të sezonit turistik, dhe sensibilizime të tilla duhen bërë për të nxitur çdo banor dhe pushues për një mjedis të pastër. Po ashtu dhe nxënës shkollash kanë dhënë një mesazh për një plazh sa më të pastër pasi jemi vetë ne që e ndotim dhe po ne që bëjmë plazh, ndaj duhet një mjedis i pastër”, shprehet Nexhip Hysolako, ADZM.

Paralelisht, aksione të ngjashme po zhvillohen edhe në bashkitë e tjera bregdetare si Sarandë dhe në zona të tjera të qarkut të Vlorës, si pjesë e një fushate më të gjerë sensibilizuese.

Qëllimi kryesor është përgatitja e vijës bregdetare për sezonin turistik, i cili pritet të nisë në javët e ardhshme, duke garantuar një mjedis më të pastër për banorët dhe vizitorët.

Top Channel