Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare Iraniane godet një anijë e tretë me flamur të Panamasë
Rreth 20 shkolla në qytetin Borlänge në Suedinë qendrore janë mbyllur të hënën, pas kërcënimeve të marra nga policia, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Bashkia e Borlänge njoftoi se masa është marrë si “parandalim për shkak të një kërcënimi të mundshëm dhune ndaj aktiviteteve shkollore”, duke konfirmuar mbylljen e 16 shkollave publike. Ndërkohë, edhe pesë shkolla private kanë vendosur të pezullojnë mësimin.
Policia suedeze tha se ka nisur një hetim paraprak për “kërcënime serioze të paligjshme ndaj një grupi”, pasi ka marrë informacione për kërcënime të drejtuara ndaj shkollave në zonë. Autoritetet theksuan se është ende herët për të vlerësuar nëse kërcënimi është real apo jo.
Borlänge, me rreth 45 mijë banorë dhe rreth 200 kilometra në veri të Stokholm, është një zonë ku incidentet e tilla janë të rralla. Megjithatë, Suedia ka përjetuar disa sulme të rënda në institucione arsimore në vitet e fundit.
Në shkurt 2025, një sulm i armatosur në Örebro la 10 të vdekur në një qendër arsimore për të rritur, ndërsa në vitin 2022 një nxënës vrau dy mësues në një shkollë në Malmö. Më herët, në vitin 2015, një sulm me motive raciste në Trollhättan përfundoi me tre viktima.
Autoritetet suedeze vijojnë hetimet për rastin e fundit, ndërsa shkollat mbeten të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Top Channel