Britania dhe Franca mbledhin mbi 30 vende për Ngushticën e Hormuzit, në fokus rihapja e rrugës kyçe të energjisë

22/04/2026 08:41

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të zhvillojnë sot një takim shumëkombësh për Ngushticën e Hormuzit, e cila ka qenë praktikisht e mbyllur për gati dy muaj.

Takimi do të mbahet në Londër, ku do të diskutohet mbi mënyrat për rihapjen e kësaj rruge ujore jetike. Në konferencën dy-ditore, ekspertët ushtarakë do të analizojnë kapacitetet e vendeve të tyre, strukturat e komandës dhe kontrollit, si dhe mënyrën se si mund të vendosen forcat në rajon, sipas ministrisë së mbrojtjes britanike.

Autoritetet britanike bëjnë të ditur se çdo plan ushtarak do të vihet në zbatim vetëm kur kushtet të lejojnë, pas arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.

Takimi po zhvillohet në Northwood, në veri të Londrës, dhe konsiderohet si hapi i fundit në përpjekjet e dy vendeve për të krijuar një koalicion të gatshëm për të ndërhyrë në rajon.

Më herët, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan një samit virtual me pjesëmarrjen e 51 vendeve, ku u konfirmua synimi për krijimin e një misioni shumëkombësh “të pavarur dhe strikt mbrojtës”.

Ministri britanik i mbrojtjes, John Healey, deklaroi se synimi është që konsensusi diplomatik të shndërrohet në një plan konkret për të garantuar lirinë e lundrimit dhe për të mbështetur një armëpushim të qëndrueshëm.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Ajo është bllokuar pothuajse plotësisht pasi Irani e mbylli si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin global me naftë dhe gaz.

Top Channel