U lëndua gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, Balliu në ‘Top Story’: Spraj që përdorën ishte ‘new entry’, më goditën me shkop gome…

20/04/2026 21:24

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka folur më shumë për lëndimet që pësoi ndërsa protestonte krah opozitës para Kryeministrisë ditën e premte.

I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, Balliu u shpreh se është goditur disa herë me shkop gome dhe sprej, sepse sipas tij qeveria ka dashur të ‘vrasë’ protestën, e frikësuar nga impakti i saj masiv.

“Ndërhyrja që u bë në protesta ka disa gjëra që priten. Unë që merrem me protestat që në 2019, i njoh mirë efektivët e policisë. Jemi ne që kujdesemi për policët. Kemi qenë gjithmonë të kujdesshëm, edhe policia ka qenë. Në rastin konkret pati plan për të dhunuar protestën dhe protestuesit, sepse protesta u bë problem nga impakti mediatik që pati. Është problem për pushtetin aktual. Shpresa e tyre ishte që kjo do ta vriste protestën, e kanë shumë gabim.

Njerëzit që kanë përdorur për këtë dhunë janë efektivë dhe janë njerëz me probleme, janë të përfshirë edhe në grupe të strukturuara kriminale. Qeveria ka një problem madhor, e ndjen që po goditet, jo vetëm në Shqipëri. Tani problem është edhe në arenën ndërkombëtare. Së fundmi pastrimi i parave të drogës edhe në sektorin e ndërtimit. Më goditën disa herë me shkop gome te Kryeministria. Pastaj ka qenë goditja prapë me Aulon Kalanë dhe Luçiano Boçin.

Më vonë ka qenë te pjesa e urës, patëm debat me policinë se po merrnin zvarrë një protestues. Pastaj goditja e fortë ishte te Parlamenti. Ishte një spraj tjetër. Ishte më i rëndë, më i keq, ‘new entry’. Të jepte problem edhe me frymëmarrjen, të jepte gjendje shoku, aty kishte edhe njerëz në moshë”, u shpreh Balliu.

Top Channel