Në qytetin e Vlorës vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të divorceve gjatë viteve të fundit.
Sipas specialistëve, kjo tendencë ndikohet nga një sërë faktorësh socialë, ekonomikë dhe kulturorë, që po ndryshojnë mënyrën se si perceptohet martesa dhe familja në shoqërinë shqiptare.
Avokatja për çështjet sociale, Elona Mone, rendit si faktor kryesor të divorceve problemet reale brenda çifteve, kryesisht dhunën në familje. Ndërkohë, procedurat gjyqësore për zgjidhjen e martesave shpesh përballen me vonesa, për shkak të ngarkesës së sistemit dhe kompleksitetit të çështjeve, duke e bërë procesin më të gjatë për palët e përfshira.
Po ashtu, avokatja Besa Begaj tregon se statistikat janë në rritje nga një vit më parë, ku në gjykatën e shkallës së parë Vlorë për vitin 2025 janë mbartur 195 dosje për zgjidhje martese, ndërsa vetëm për katër muaj të këtij viti janë regjistruar 135 padi.
Ekspertët sugjerojnë se njohja më e mirë e partnerit përmes bashkëjetesës para martesës mund të ndihmojë në uljen e këtyre rasteve dhe në krijimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme.
Top Channel