Pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe banesat e braktisura në Durrës po kthehen çdo ditë e më shumë në shqetësim për banorët, duke u përdorur si strehë jo vetëm për të pastrehët, por edhe për aktivitete të paligjshme.
Rasti më i fundit u zbulua në lagjen nr. 8, ku një 30-vjeçar u arrestua, pasi dyshohet se kishte fshehur lëndë narkotike në një objekt të pabanuar pranë shtëpisë së tij. Banorët shprehen të pasigurt, pasi këto ambiente frekuentohen nga persona të paidentifikuar, sidomos gjatë natës. Përveç kësaj, ato janë kthyer në vendgrumbullime mbeturinash, duke krijuar ndotje dhe rrezik për shëndetin.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia, për të pastruar, rrethuar ose për t’i shembur këto godina, që sipas tyre janë kthyer në vatra problematike në mes të lagjeve.
Top Channel