Exclusive/ Përse flakët e përpinë pallatin pranë QSUT dhe a u verifikua materiali i ndërtimit të fasadës? Rasti i Anglisë që s’dha mësim

19/04/2026 21:02

Exclusive nga Anila Hoxha

Kjo është Tirana jonë ,Tirana e kontradiktës, e ndërtimeve luksoze dhe simbolit të zhvillimit ekonomik e megjithatë ende qyteti ku blerja e një banese është ëndërr.

Ky është Durrësi…

Kjo është Vlora…

Kjo është Saranda…

Qytete që po zhvillohen me një ritëm të shpejtë nga projekte  kompanish të afirmuara ose të nënkontraktuar. Mes kësaj gare ndërtimesh që ka mbërthyer qytetet jemi ne.

Nga 2020 e në vazhdim në të gjithë vendin sipas  INSTAT  u dhanë  7873 leje ndërtimi, nga të cilat 1154 për pallate. Por po aq konkurruese ishin edhe lejet për rezidenca, hotelet,  ndërtesat tregtare dhe industriale. Një boom që ka edhe anën tjetër.

Dhe mjafton një ngjarje, që përtej shpejtësisë se si ngrihen kat pas kati pallatet, bëhet reale shprehja “ mos luaj me zjarrin, me ujin dhe shtetin”

I ndërtuar nga kompania Arlis, ky kompleks do të duhej t’i kishte të gjitha standardet. Nuk rezultoi kështu, mori flakë si kashtë. Të gjithë banorët që gjendeshin brenda panë vdekjen me sy deri në çastin që u evakuuan.

“Këtu kam mbesën jetime që kanë punuar një jetë të tërë bashkë me nusen dhe ju është djegur totalisht shtëpia”, shprehet në lot e moshuara.

5 minuta përpara shpërthimit të zjarrit në videon e administruar si provë nga prokuroria, ka dyshime se janë hedhur mbeturina në një karrocë. Kjo konsiderohet si vatra e zjarrit, dhe për këtë shkak katër të arrestuarve të prangosur për  shkelje të rregullave në punë ju kualifikua vepra në shkatërrim prone nga pakujdesia  duke sjellë lirimin e inxhinierit të kompanisë, administratorit të pallatit, menaxheres dhe nënkontraktorit që kishte ndërtuar  fasadën

Hetimet do të provojnë në fund shkaqet e vërteta të zjarrit, megjithatë befasia mbetet, se pse pas djegies së një pallati të mëparshëm po në Tiranë dhe që ishte ndërtuar po nga e njëjta shoqëri, nuk pati asnjë masa për të parandaluar për së dyti ndezjen e një rezidence me dhjetëra shtëpi.

Pa një analizë nga zjarrvënia e parë, në kompleksin e radhës banorët u lejuan të hyjnë në shtëpi. Deri ditën që pallati shumëkatësh u kthye në një vatër zjarri të rrezikshme, nga e cila doli sërish tymi i çështjeve të pazgjidhura.

Gjergji Simaku, president i Tirana College of Technology: Nuk shkoi mirë alubondi dhe alubondi ka marrë flakë dhe është e rrezikshme edhe për pjesën tjetër. Kjo është plastike, është lëndë e djegsh, e vërtetoi ngjarja që është e djegshme.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës: Është instituti i ndërtimit dhe institucionet e tjera që përcaktojnë materialet që duhet të përdoren në ndërtime. Do ketë një inspektim për këto pallate dhe jam i mendimit që materiale të tilla duhet të hiqen që mos të paraqesin rrezik për qytetarët.

Çështja bëhet shqetësuese kur një situatë e ngjashme pati ndodhur në Londër gati dhjetë vjet më parë me shkrumbimin e Grenfell Tower, ku ishte përdoruri i njëjti material fasadë dhe termoizolues si tek pallati i djegur në Shqipëri.

Një material që nuk rekomandohet e megjithatë nuk ndalohet me ligj. Ndonëse nga 2015 është në fuqi ky urdhër i ministrit të kohës Saimir Tahiri ku gjatë miratimit të rregullave për mbrojtjen nga zjarri, u  renditën kategoritë e materialeve nga të padjegshmet deri klasa 2, që janë të djegshmet.

Kanë një katalog institucione që ta ndalojnë?

Gjergji Simaku, president i Tirana College of Technology:  Po ta kenë arkitektët të na i thonë, ne nuk kemi, por në fasada nuk mund të vihet flakë nga viti 2017, që kur ndodhi gjëma në Angli, dhe Evropa pas kësaj mori masa. Evropa mori masa që fasadat nuk mund të jenë të djegshme. Shqipëria nuk e ka një rregullore të tillë, por mund të shtohet.

Maks Kola, urbanist, arkitekt: Etalbonin në vetvete Shqipëria e merr nga Turqia, që nuk është vend i BE, por ky nuk është i lejueshëm në BE.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës: Nuk është ndërtuar këto tre vjet, është ndërtuar para shumë vitesh. Duke qenë rasti i dytë që ndodh në bashkinë e Tiranës ne kemi kërkuar që ky material të jetë përfundimisht i certifikuar që nuk shërben për përhapjen e zjarrit, duke marrë shkas edhe nga praktikat evropiane nëse do keni parasysh rastin e Valencias në Spanjë, dhe aty ishte materiali që e përhapte zjarrin, pas kësaj janë marrë masa që ky produkt mos të përdoret, duhet përdorur vetëm brenda standardeve.

Alban Qafa, jurist: Duhet të ketë një kontroll më rigoroz që kur vendoset sistemi kapot, duhet të verifikohet materiali përpara se të vendoset tek fasada.

Top Channel