Pas çdo vale tymi që ngrihet nga brigjet e lumit Mat, fshihet një histori ndotjeje që nuk nis me zjarrin dhe as përfundon me shuarjen e tij.
Poshtë urës së Milotit, goma dhe mbetje të ndryshme plastike, kryesisht automjetesh, depozitohen prej kohësh në mënyrë të paligjshme, duke e kthyer këtë zonë në një vatër të përhershme ndotjeje dhe rreziku për mjedisin.
Një ditë pas djegies së gomave, zona poshtë urës së Milotit, në brigjet e lumit Mat, vijon të mbetet një vatër ndotjeje. Gjurmët e zjarrit janë ende të dukshme, ndërsa në terren shihen mbetje të shumta plastike dhe goma të grumbulluara prej kohësh.
Kjo zonë është kthyer prej vitesh në një vend depozitimi të paligjshëm të mbetjeve, kryesisht nga servise dhe gomisteri, që i hedhin ato në mënyrë të pakontrolluar. Për banorët është kthyer në një situatë shqetësuese.
Agjencia Rajonale e Mjedisit në Lezhë i ka kërkuar Bashkisë Kurbin të ndërhyjë për menaxhimin e situatës, por deri më tani nuk raportohet për masa konkrete në terren.
Procedimi penal i autorëve të djegies nuk mjafton për të zgjidhur problemin. Ekspertët theksojnë se zgjidhja afatgjatë mbetet ndalimi i depozitimit të pakontrolluar, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe krijimit të alternativave të ligjshme për trajtimin e mbetjeve.
Top Channel