Turistët ankesa në Durrës, nuk pëlqejnë qentë e rrugës dhe ndërtesat e amortizuara

18/04/2026 15:29

Qyteti i Durrësit dhe bregdeti i tij vazhdojnë të presin, edhe jashtë sezonit veror, turistë nga mbarë bota.

Për shumicën prej tyre, ky është takimi i parë me një kulturë që i ka surprizuar që në hapat e parë.

Mes adhuruesve të bregdetit durrsak është edhe ky çift nga Franca. Ata shprehen tejet të kënaqur me shërbimin, por kanë hasur dhe një pengesë, që ua vështirëson disi pushimet.

“Ne francezët ndjehemi pak të humbur. Gjithçka është në anglisht. Kjo është e vetmja gjë që mungon. Përndryshe çdo gjë është e shkëlqyer.”, thotë çifti francez.

Përtej komunikimit, syri i turistëve nuk lë pa vërejtur edhe detaje të tjera. Për disa, gjendja e ndërtesave të vjetra dhe prania e qenve të rrugës mbeten pika ku qyteti duhet të punojë më shumë për të rritur ndjesinë e sigurisë dhe estetikës.

Pavarësisht barrierave gjuhësore apo problemeve të jetës urbane, turistët largohen nga Durrësi me një mbresë të fortë, dëshirën e njerëzve për t’i bërë të ndihen si në shtëpi, ndaj premtojnë të kthehen.

Top Channel