Lejuan 31 ndërtime pa leje, prokuroria e Fierit dërgon në gjyq kryeinspektorin dhe 2 inspektorët e IMT-së Divjakë

18/04/2026 12:40

Prokuroria e Fierit përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Divjakë, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’. 

Në përfundim të hetimeve, rezultoi e provar se në 31 raste të hetuara nga prokuroria dhe të dërguara për gjykim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe të dënuara nga gjykata me vendime të formës së prerë, nga funksionarët e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Divjakë, nuk janë ushtruar përgjegjësitë ligjore për kontrollin e territorit, si detyrë funksionale e tyre.

Rezultoi po ashtu se edhe në rastet e konstatimit të kundërvajtjeve administrative të ndërtimeve pa leje, nuk është ndjekur procedura e rregullt ligjore, sipas parashikimeve të ligjit si konstatimi, vendosja e gjobës, prishja e objektit dhe kallëzimi penal.

Gjithashtu nuk rezultoi të jenë ndërmarrë veprime për vjeljen e masave administrative, duke tejkaluar edhe afatet e parashkrimit, çka ka sjellë një dëm real në buxhetin e shtetit. Nga hetimi u provua se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore nga mosvjelja e gjobave për periudhën 2021–2022, është në vlerën 11,170,000 (njëmbëdhjetë milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë) Lek.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dërgoi çështjen për gjykim kundër të pandehurve:

– R. L. – Kryeinspektor i Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.

– S. M. – Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.

– I. K. – Inspektor dhe ish-kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale të lidhuar me detyrën e tyre.

Top Channel