Horror në Meksikë, një grup aktivistësh zbulojnë mbi 100 pjesë kockash në një liqen, mendohen se i përkasin viktimave të karteleve

18/04/2026 08:12

Organizatat që kërkojnë persona të zhdukur në Meksikë thanë se më shumë se 1,000 pjesë kockash ishin zbuluar në brigjet e një liqeni ku autoritetet kanë kërkuar për më shumë se një javë.

Plaga e zhdukjeve masive në Meksikë filloi në vitin 2006, kur autoritetet nisën një operacion ushtarak kundër karteleve të drogës, duke shkaktuar një përshkallëzim të dhunës nga krimi i organizuar dhe në të njëjtën kohë, arbitraritet nga forcat e sigurisë. Që atëherë, janë raportuar më shumë se 130 mijë zhdukje.

Për dhjetë ditë, autoritetet kanë kërkuar në zonën e Liqenit Chalco, në lindje të kryeqytetit. Megjithatë, këto hetime janë shndërruar në “një krizë mjeko-ligjore me përmasa të papritura”, thanë familjet e personave të zhdukur, të cilët besojnë se autoritetet nuk e bënë punën e tyre siç duhet.

Sipas rrëfimit të një anëtari të një grupi që mori pjesë në hetime, aktivistët gjetën fragmente kockash në zona ku toka ishte ekzaminuar tashmë nga zyra e prokurorit lokal. “Me dhimbje dhe zemërim”, ata njoftuan se kishin gjetur “të paktën 1,076 pjesë kockash”, duke vënë në dukje se kompleksiteti i gërmimit në terren të vështirë “nuk duhet të jetë justifikim për vonimin e procesit”.

Në një raport të datës 13 prill, zyra e prokurorit njoftoi se u zbuluan 317 fragmente kockash të cilat, bazuar në analizat paraprake mund t’u përkasin të paktën tre personave.

Familjarët kërkuan që kërkimi të vazhdojë pa ndërprerje derisa të gërmohet i gjithë vendi.

Në fillim të prillit, një raport nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë (CED) denoncoi bashkëpunimin e zyrtarëve shtetërorë në zhdukjet e njerëzve që përbëjnë një “krim kundër njerëzimit”. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum akuzoi ekspertët e Komisionit se po injorojnë përparimin që qeveria e saj ka bërë në këtë çështje.

Top Channel