Kriza e karburantit, kompanitë ajrore paralajmërojnë anulime fluturimesh në Europë: Deri në fund të majit… Ka hyrë në fuqi që prej mesnatës së djeshme armëpushimi 10 ditor mes Libanit dhe Izraelit, i cili po ushqen shpresa edhe për një zgjidhje të konfliktit SHBA-Iran.
Ndalimi i luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah u përshkrua nga presidenti amerikan Donald Trump si një hap kyç drejt një marrëveshjeje paqeje edhe mes Washingtonit dhe Teheranit, me të cilin Hezbollahu ka marrëdhënie të ngushta.
“Është shumë e mundshme që të arrijmë një marrëveshje me Iranin. Kanë pranuar të dorëzojnë uraniumin e pasuruar. Do të jetë një marrëveshje e mirë”, u shpreh Trump.
Hezbollah e konfirmoi ujdinë përmes dy deklaratave, ku nënvizoi gjithsesi se veprimet e tij do të varen “nga zhvillimi i situatës”. Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Izraeli do të rezervojë përgjatë periudhës së armëpushimit të drejtën për të “marrë të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje”, por nuk do të kryejë “operacione sulmuese” ndaj objektivave libaneze në tokë, ajër ose det. Nga qeveria libaneze, e cila nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi Hezbollahun, kërkohet të ndërmarrë “hapa domethënës” për të penguar grupin që të kryejë sulme ndaj objektivave izraelite. Në të kaluarën, Hezbollahu ka respektuar disa marrëveshje të negociuara nga qeveria libaneze. Luftimet midis Izraelit dhe Hezbollah rrezikuan armëpushimin dyjavësh midis SHBA-së dhe Iranit, i cili skadon javën e ardhshme.
Republika Islamike kishte këmbëngulur vazhdimisht që pushimzjarri duhet të përfshijë edhe sulmet ndaj aleatit të tij, Hezbollah. Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 2,100 persona janë vrarë në Liban që prej nisjes së fazës aktuale të luftimeve; e një milion banorë janë zhvendosur.
Tel Avivi thotë se të paktën 13 ushtarë izraelitë dhe dy civilë janë vrarë gjithashtu.
Top Channel