Hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, Trump: Bllokada amerikane do të vazhdojë deri kur të ketë marrëveshje paqeje

17/04/2026 16:35

Ditën e sotme pas shumë javësh u njoftua hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, një zhvillim i cili u njoftua nga ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Ai u shpreh se kjo gjendje do të vijojë deri në fund të armëpushimit të vendosur.

Pas këtij zhvillimi ka reaguar presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se bllokada detare e vendosur nga SHBA-ja, do të vazhdojë.

“Teksa ngushtica është hapur tani, bllokada detare amerikane do të vazhdojë derisa një marrëveshje me Iranin të jetë 100% e përfunduar”, u shpreh ai.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar gjithashtu se së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale, teksa bisedimet mund të ndodhin këtë fundjavë.

Sakaq, armëpushimi 10-ditor i vendosur në Liban vijon të ketë polemika, me izraelitët, që akuzohen për shkelje të marrëveshjes.

Top Channel