Skandal në Shkodër/ Postieri u “zhduk” pensionet 3 të moshuarve për 2 muaj, Fiks Fare zbulon të vërtetën

15/04/2026 20:50

Një rast i rëndë abuzimi me pensionet është zbuluar në Shkodër, ku një postier ka mbajtur për dy muaj rresht të ardhurat jetike të tre pensionistëve, duke i lënë ata pa asnjë mjet jetese.

Ngjarja u bë publike vetëm pas ndërhyrjes së emisionit investigativ Fiks Fare, i cili arriti të zbulojë të vërtetën dhe të detyrojë përgjegjësin të pranojë abuzimin.

Qytetari Lin Zhuri iu drejtua redaksisë së Fiks Fare duke denoncuar se prindërit e tij dhe nusja e xhaxhait nuk kishin marrë pensionet prej muajit shkurt 2026. Sipas tij, pensionet dorëzoheshin rregullisht në shtëpi nga postieri, por papritur shpërndarja ishte ndërprerë pa asnjë shpjegim. Ai shprehet se kishte bërë ankesa në postë, por askush nuk kishte reaguar, duke kërkuar vetëm që pensionet të vijonin si më parë.

Gazetarët u drejtuan pranë Postës së Shkodrës, ku fillimisht u tha se postieri nuk ndodhej aty, por pak minuta më vonë ai u paraqit dhe kërkoi të fliste privatisht me qytetarin, duke i premtuar se do t’i sillte të gjitha paratë brenda ditës dhe duke i kërkuar që çështja të mos bëhej e madhe. I pyetur nga gazetarët për arsyen e vonesës, ai u justifikua me probleme personale, ndërsa në sportel u bënë gati paratë për dorëzim.

Në këtë moment, postieri mori një telefonatë nga drejtoresha e postës dhe u kthye sërish në institucion. Në një komunikim telefonik me gazetaren, drejtoresha deklaroi se do të kryente verifikimet përkatëse dhe se pensioni i muajit prill do të dorëzohej brenda ditës ose të nesërmen, ndërsa për muajt shkurt dhe mars rezultonte në sistem se ishin tërhequr, pasi ekzistonin mandatet përkatëse. Ajo kërkoi që të bëhej një ballafaqim mes qytetarit dhe postierit për të sqaruar situatën.

Pas largimit të gazetarëve, drejtoresha konfirmoi se pensioni i muajit prill ishte dorëzuar, por këmbënguli se për dy muajt e tjerë pagesat figuronin të tërhequra. Megjithatë, gjatë ballafaqimit të realizuar nga Fiks Fare, postieri pranoi publikisht se kishte mbajtur për vete pensionet e tre të moshuarve për dy muaj dhe nuk ua kishte dorëzuar, duke kërkuar falje për veprimin e tij.

Ky rast nxjerr në pah jo vetëm abuzimin individual, por edhe mungesën e reagimit nga institucionet përkatëse, pavarësisht ankesave të bëra nga qytetarët. Ndërhyrja e Fiks Fare rezultoi vendimtare për zbulimin e së vërtetës dhe rikthimin e të drejtave të mohuara për tre pensionistët.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel