“Hajde se ka rënë zjarr”/ Pallati u përfshi nga flakët në kryeqytet, Karamuço në ‘Top Story’: Kishte njerëz në gjumë, sistemi i alarmit…

15/04/2026 22:29

Ditën e djeshme një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë u përfshi nga flakët, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënduar disa efektivë zjarrfikës dhe qytetarë të cilët u asfiksuan.

Për këtë situatë, profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço i ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’ u shpreh se në ato momente në pallat kishte ende njerëz në gjumë, të cilët duhet t’i zgjonin zjarrfikësit dhe t’i shpëtonin.

Për Karamuçon, një shkëndijë elektrike në këto raste mund të shkaktojë edhe katastrofa të mëdha për shkak të veshjeve të pallateve me polisterol.

“Aty kishte akoma njerëz në gjumë, që duhet t’i zgjonin heronjtë dhe t’i thoshin: hajde, se ka rënë zjarr. Nuk ka një sistem alarmi. Gati 70% të pallateve janë me këto veshje. Për mendimin tim duhet të hiqen të gjitha. Me një shkëndijë elektrike mund të ketë një katastrofë. Ajo autoshkallë dje ishte e Bashkisë Kamzë, sepse Tirana nuk kishte shkallë më të larta.

Duhet një rrogë më e madhe për ata zjarrfikës, sepse janë heronj. Tym ishte toksik, mund të asfiksoheshe për 4 minuta. Helikopteri nuk ishte efektiv, ne nuk kemi dronë që shkojnë deri në 40 apo 50 kate”, u shpreh Karamuço.

Top Channel