Sepse nga njëra anë kemi politikanë që flasin për moral, për vlera, për përgjegjësi. Nga ana tjetër kemi realitetin, ku vendimet nuk merren gjithmonë me ndërgjegje të qetë. Dhe aty fillon kontrasti.
Në një intervistë për Top Story, ministri i Drejtësisë Toni Gogu flet për kohën kur ishte pastor.
“Kam kuptuar që në punën e mëparshme dhe në këndvështrimin biblik mbi shoqërinë dhe politikën, ka një të vërtetë të madhe që rëndësia e një njeriu përkundrejt komunitetit është e njëjtë. Pra edhe 1 njeri, ka të njëjtën rëndësi sa kanë 99 të tjerë. Ky ishte një nga parimet revolucionare që solli Krishti. Për Perëndinë, edhe një njeri është i rëndësishëm. Po ta shohësh nga ana filozofike, edhe lirinë e bën të barabartë me barazinë, pra kanë të njëjtën vlerë. Ajo çfarë mua më ka mësuar përvoja si besimtar apo si shërbëtor në bashkësi fetare, është sa e rëndësishme është jeta e një njeriu”-u shpreh ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Luçiano Boçi, i cili i përket besimit ortodoks, tregon sesi besimi e ‘ndihmon’ në politikë.
“Besimi ka ndikimin e tij te çdo njeri i thjeshtë, jo më te një politikan. Afrimi me besimin për mendimin tim e bën politikanin më të ndërgjegjshëm, më të përgjegjshëm për aktet dhe veprimet që kryen. E mban në lëvizje, është shërbesë që merr një dimension tjetër kur je afër besimit. Ka një trend që një pjesë e madhe e politikanëve i afrohen besimit me ato vlera që ka. Çdo njeri duhet t’i paraqesë vlerat edhe në publik, mos t’i mbajë për vete. Mos t’i përdorë si kostum, por si thelb i funksionimit të tij si politikan dhe sesi duhet të funksionojë politika”-u shpreh deputeti Luçiano Boçi.
Deputetja e PS, Ilva Gjuzi tregon se agjëron prej 10 vitesh.
“Para 10 vitesh mora një vendim personal të lexoj më shumë dhe të kuptoj më shumë në aspektin e besimit. Për herë të parë muajin e plotë të Ramazanit e kam në 2017. Është një dimension i rëndësishëm shumë individual. Nuk ka të bëjë me angazhimin politik, duke qenë në dimensionin e personit publik, mendoj se është një plus për t’ia dhënë të tjerëve, sidomos gjatë muajve të Ramazanit. Mendoj se është një muaj i rëndësishëm dhe si hera e parë në Kuvend, ishte shumë interesante, zbuluam se kishim kolegë të tjerë që agjëronin dhe u ndjeva shumë mirë”-u shpreh deputetja e PS, Ilva Gjuzi.