Denoncimi i Fiks Fare/ Shkatërrohet Ura e Mesit në Milot, nuk mjaftojnë 2.3 mln euro për t’a rehabilituar dhe mirëmbajtur!

13/04/2026 20:50

Fiks Fare vijoi të denoncojë problematikën e gërryerjeve në lumin Mat dhe dëmtimit të veprave të artit apo të kulturës, dëmtime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. Janë shpenzuar qindra mijëra euro për erozionin në fshatin Skuraj, gjysmë milioni euro për Urën e Zogut dhe plot 1 milionë euro për rehabilitimin e këmbëve të Urës së Trenit, një segment që lidh Milotin me Lezhën.

Ndërkohë, emisioni investigativ ka mësuar se, krahas këtyre shpenzimeve, shteti shqiptar shpenzon plot 1.3 milionë euro për mirëmbajtjen e segmentit, ndërkohë që sërish ka dëme të mëdha. Grupi i xhirimit i Fiks Fare udhëtoi sërish në Urën e Mesit, pas denoncimeve të shumta, të shoqëruara edhe me foto e video, se pjesët metalike ishin tentuar të hiqeshin nga vendi.

Dëmtimet ishin në pjesën e asfaltit dhe fugave të urës, ndërkohë që investimet e qeverisë ishin në këmbët e kësaj vepre. Megjithatë, të gjitha dëmet kanë një emërues të përbashkët, gërryerjet e vazhdueshme, të cilat nuk kanë ndaluar asnjëherë, natën apo ditën.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Fiksi ndoqi për disa muaj me radhë gërryerjet e lumit Mat, duke filluar nga Rubiku, Skuraj, Ura e Zogut për të përfunduar në Milot dhe në urën e superstradës. Në të gjithë këtë gjatësi, ishin pirgje të mëdha me inerte. Madje, kamera e Fiksit filmoi eskavatorë që punonin shumë afër urave.

Fiksi filmoi edhe gërryerje në afërsi të urës me harqe të Matit, Ura e Zogut. Eskavatori punonte sërish në afërsi të kësaj ure, Monument Kulture e shkatërruar vite më parë. Mjetet marrin zhavorr në mes të lumit.

“Më skandalozja ishte që ekskavatorët dhe mjetet e rënda merrnin inerte edhe nga ura e Trenit, që lidhte qytezën e Milotit me Lezhën, urë e mbyllur në verën e vitit 2025. Fiksi filmoi para kësaj date mjete të shumta që punonin shumë afër urës, duke gërmuar dhe marrë tonelata të mëdha me inerte. Punimet ishin në një distancë shumë të afërt me urën, rreth 30 metra” do të denonconte Fiksi.

Ura u mbyll në muajin korrik të vitit 2025, teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi në atë kohë një tender me vlerë 108 milionë lekë (rreth 1.1 milionë euro) për ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e këmbëve të urës.

Disa muaj pas këtij denoncimi, Fiksi shkoi sërish në Urën e Trenit, pas denoncimeve të shumta se pjesë të mëdha të kësaj Ure janë shkatërruar. Sipas fotove, pjesë metalike të urës janë hequr nga vendi, teksa zgavrat e urës janë mbuluar me asfalt.

Fiksi vëzhgon dhe shikon nga afër gjendjen e urës, pjesën e sipërme, e cila s’ka asnjë ndryshim dhe punim. Kamera filmon zgavrat e tjera, ku gazetarët heqin me dorë asfaltin e vendosur sipër hekurit.

Pas problematikës së re në Milot, ka reaguar edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në një njoftim, ARRSH shkruan se; “Jemi njoftuar nga kompania kontraktore e mirëmbajtjes lidhur me një dëmtim të qëllimshëm në Urën e Milotit dhe janë dërguar menjëherë inxhinierët në terren për verifikimin e situatës. Nga verifikimet rezulton se fugat metalike të urë s’janë dëmtuar si pasojë e një tentative grabitjeje gjatë orëve të natës”.

Më tej, ARRSH shkruan se akti është referuar në Policinë e Lezhës, pasi përbën jo vetëm dëmtim të pronës publike por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e mjeteve që qarkullojnë. Në fund, Autoriteti shkruan se “dëmtimi është riparuar nga grupet e mirëmbajtje dhe qarkullimi në Urën e Milotit vijon normalisht”.

Fiks Fare ka mësuar se, ARRSH ka një kontratë në fuqi me një kompani për mirëmbajtjen e një aksi prej 36.5 km, në rajonin verior, ku është përfshirë edhe Ura e Trenit në Milot. Tenderi është hapur në vitin 2024 dhe ka një afat 4 vjeçar, teksa vlera është 132 milionë lekë.

Por, megjithë këto shpenzime të hedhura, 1 milionë për këmbët dhe 1.3 milionë për mirëmbajtjen, a është në gjendje optimale kalimi në atë urë? Fiksi pyeti shoferë dhe banorë të zonës, të cilët thanë se, edhe pse ura u bllokua për disa muaj në verën e vitit të kaluar, sërish gjendja flet vetë. Sipas tyre, paratë kanë shkuar dëm, pasi mjetet rrezikojnë përditë kalimin atje.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel