Komisionerja e Zgjerimit vizitë zyrtare në Kosovë, Marta Kos pritet nga kryeministri Kurti dhe presidentja në detyrë Haxhiu Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me fermerët në Lushnjë, ku foli për investimet në bujqësi, duke u bërë thirrje fermerëve që të bashkohen pasi në këtë mënyrë do të fitojnë 30% më shumë.
Sipas kryeministrit bashkimi fermerëve do të thotë përfitime të rritura deri në 30%. Tregoi detajet e “ofertës së re për bujqësinë shqiptare një krah i rëndësishëm në GDP-n e vendit me 15%.
“Sot çështja jonë kryesore është të kuptojmë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë për ta siguruar paranë që na duhet për të ecur përpara në ndërmarrjen tonë. Çfarë dua të them me këtë? Koha jonë nuk pret. Kemi shumë vite që flasim, por ndeshim në atë murin e paragjykimit ndaj bashkimit. Jo kooperativa, jo individualiteti, jo ku di unë se çfarë. Vetëm duke u bashkuar secili fiton 30% më shumë. Është llogari e bërë. Nuk e kam bërë unë, se unë jam piktor, nuk jam financier, nuk jam llogaritar, por është llogari e bërë. 30% më shumë fitohet vetëm duke u bashkuar.
Ja ku është Dhimo Kotja. Është një nga pionierët e bashkimit në atë territorin e vet atje dhe tek ABC-ja e Dhimo Kotës unë kam mësuar thelbin: vetëm në prodhim, bashkë në shitje. Këto historitë e fragmentimit të tokës, jo tërce-vërce, janë teori. Praktika është shumë e thjeshtë. Secili ka tokën e vet, por ama kur del në treg bashkë krijon masë, krijon fuqi negocimi për çmimin, krijon garanci dhe krijon qëndrueshmëri. Kur është vetëm me ato arkat me domate dhe duhet të dalë t’i shesë, është si ajo shprehja: delja që ndahet nga tufa e ha ujku.
Dhe ne, në të gjithë qasjen e re ndaj financimit dhe mbështetjes, kemi vendosur në fokus pikërisht këtë: të stimulojmë ata që duan të rriten, ata që duan të forcohen duke u bashkuar, ata që duan jo vetëm të prodhojnë, por edhe të përpunojnë me plane dhe projekte konkrete.
Dje folëm në Berat për naftën. Është e neveritshme se si, për hir të një lufte të verbër, as politike, jo, por tribale fare -nuk e di si ta quaj – angazhohet një lukuni e tërë tenxheresh për ta nxjerrë komplet nga konteksti atë që themi dhe për të vazhduar t’i bjerë një fyelli të thyer dhe të vjetër në të njëjtën vrimë: “jepni naftë, jepni naftë”.
Ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë ata që janë realisht fermerë që prodhojnë se ajo që kemi bërë ne është shumë herë më shumë sesa “jepni naftë”, dhe ndërkohë që nga paratë e shpenzuara për të dhënë naftë deri dje, pjesë e një faze të caktuar të këtij procesi natyrisht, për të ardhur në këtë fazë ku kemi hyrë këtë vit, jo të gjithë përfituesit ishin ata që e meritonin dhe e përdornin naftën për punë bujqësie.
Jo të gjithë, sepse skema e ndarjes për pronësi, për tokën, për posedimin e tokës, për sasinë e tokës, ishte një skemë që kishte problematikën e vet, për shkak se në shumë raste pronësia e tokës nuk është e atyre që e punojnë tokën. Ata që punojnë tokën janë qiramarrës dhe nafta shkonte atyre.
Por, përtej kësaj, Bashkimi Europian nuk e ka këtë skemë. Ne po shkojmë drejt Bashkimit Europian. Jemi kritikuar për këtë skemë, e kemi justifikuar me idenë e një faze të caktuar. Tani kemi ardhur te hapi tjetër. Pra, nuk do të japim një mbështetje që në bazë të sasive, me një llogari në bazë të shembujve që solli edhe ministri, është 300 mijë lekë të vjetra, por do të japim një mbështetje që shkon në 7–8 milion lekë të vjetra. Pra, nga 300 euro në 7-8 mijë euro.
Në rast se thjesht dhe vetëm ai që shet prodhimin e vet paraqet faturën direkt si prodhues, fermer, paraqit faturën që ti e shite dhe merr 10% të TVSH-së nga ajo faturë mbrapsht, para në dorë.
Edhe me ato para pastaj do të blesh naftë, blej naftë sa të duash. Por nuk është nafta këtu. Domethënë ata që flasin janë të verbër dhe të ligj dhe e vetmja gjë që u intereson është si të nxisin sherr dhe si të nxisin mërzi dhe si të nxisin agresivitet ndaj qeverisë. Nuk u del e keqja dhe nuk është fare ky problemi im. As kurrë mos u daltë -s’kemi ç’ju bëjmë – por ajo që ne po bëjmë është të komunikojmë me ju dhe, përmes jush, falë kamerave, t’ju komunikojmë të gjithë fermerëve, se s’mund t’i takojmë fizikisht të gjithë, që ne jemi këtu me një ofertë të re për bujqësinë“, tha Rama.
Top Channel