Bernardo Silva në fund të sezonit do të largohet nga Manchester City. Ai që e konfirmoi këtë ishte asistenti i Pep Guardiolës te Citizens, Pep Lijnders në konferencën për shtyp pas fitores me Liverpool në FA Cup teksa theksoi se portugezi, kontrata e të cilit me Manchester City skadon në 30 qershor, nuk do të kthehet në skuadër pas Botërorit të këtij viti

‘Çdo histori e bukur ka një fund-tha Lijnders në konferencën e shtypit në mungesë të Guardiolës së skualifikuar-shpresoj që Bernardo të shijojë 6 javët e fundit, të ketë një fund të lumtur sepse e meriton. Dhe meriton të gjithë vëmendjen e mundshme’.

Bernardo Silva u transferua te Manchester City në vetën e vitit 2017 nga Monaco. Me Citizens, portugezi fitoi gjithçka duke u shndërrua në një prej futbollistëve të pazëvendësueshëm sepse në fushë është i aftë të bëjë gjithçka. Askush nuk e sheh lojën si Bernardo Silva dhe për këtë arsye Guardiola e ka konsideruar gjithnjë si një prej futbollistëve më të mirë me të cilët ai ka punuar dhe këtë vit katalanasi i dha edhe shiritin e kapitenit me zgjedhjen e tij, jo me votë siç ka ndodhur në vitet e kaluara

Ndërsa te Manchester City, Drejtorit Sportiv do t’i duhet të kuptojë se si të zëvendësojë Bernardo Silvën vitin e ardhshëm, portugezi po mendon të ndihmojë Guardiolën që të fitojë FA Cup ku Citizens kanë arritur në gjysmëfinale për të 8 vit radhazi dhe ndoshta edhe për të realizuar përmbysjen ndaj Arsenalit për të fituar titullin e 7 të Premier League në 9 sezone te Manchester City. Më pas do të jetë lamtumira dhe gjetja e destinacionit të ri.

Dhe pretendentët për Bernardo Silvën nuk mungojnë me klube të rëndësishme që po mendojnë sesi ta sjellin në radhët e tyre pa rënduar shumë bilancin financiar. Bernardo Silva te Manchester City ka një pagë prej 10 milionë euro së cilës i shtohet edhe shifra prej 2.5 milionë euro bonus në këtë sezon dhe dëshiron që karrierën e tij ta vazhdojë në nivele të larta. Juventusi ka hyrë në kontakte me agjentin e luzitanit, Jorge Mendes, teksa po përgatit një kontratë 3-vjeçare me opsion edhe për një të katërt dhe me një pagë prej të paktën 7-8 milionë euro në sezon edhe pse Bernardo Silva në gusht do të festojë 32 vjetorin e lindjes. Por bardhezinjtë nuk janë të vetmit që janë përpara portës së Bernardi Silva. Në të kaluarën emri i portugezit u lidh me atë të Paris Saint Germainit, ndërkohë që më fitimprurëse janë opsionet Saudi Pro League dhe Major League Soccer, ndoshta me Lionel Messin te Inter Miami. Por Bernardo Silva për të cilin flasin te Manchester City është ende një prej lojtarëve kyç për një ekip të madh evropian siç është City të cilit futbollisti është gati t’i thotë lamtumirë pas 9 sezonesh. Cilëndo skuadër të zgjedhë ai si destinacion të ardhshëm, premton të bëhet menjëherë i pazëvendësueshëm sepse sic e ka thënë Guardiola, lojtarë si Bernardo në futbollin e sotëm janë vërtet pak.

Top Channel