Pasojat e luftës ndihen edhe në mjedis, paralajmërimi i OKB: Në Iran po çlirohen substanca shumë toksike Mes konfliktit në Iran dhe krizës së energjisë që ai ka shkaktuar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vendosi të udhëtojë drejt Gjirit Persik, një iniciativë kjo të cilën e ndërmori pavarësisht këshillave të shërbimeve sekrete për të mos e hedhur një hap të tillë.
Mediat e vendit fqinj sqarojmë se shefja e ekzekutivit e organizoi këtë vizitë për 4 ditë, duke vepruar e vetme dhe në mënyrë të rezervuar. Vetëm presidenti Sergio Mattarella ishte në dijeni të udhëtimit, vendimi për të cilin u mor në fundin e një serie bisedimesh direkte që Meloni kishte zhvilluar me autoritetet e vendeve arabe.
Një ditë më parë, edhe vetë ministrat e saj i uruan në fundin e mbledhjes së qeverisë pushime të mbara për festën e Pashkëve, dhe ajo u përgjigj: “Së shpejti do ta mësoni se ku do të shkoj të pushoj”. Shërbimet e inteligjencës e kishin “këshilluar fuqimisht kundër” misionit në zonën e luftës, të cilin Meloni do ta kishte zgjatur akoma edhe më shumë nëse Kuvajti nuk do të kishte kundërshtuar për “arsye sigurie”. Kështu ajo u detyrua ta kufizojë vizitën në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, ku donte të shprehte personalisht solidaritetin e saj: “Këto janë vende mike të cilat ne ndihmojmë të mbrohen nga sulmet iraniane”, ka deklaruar ajo.
Misioni i befasishëm i Melonit në Gjirin Persik megjithatë nuk është vetëm një hap politik, por edhe një nismë ekonomike për “furnizimet energjetike në mbrojtje të interesave kombëtare”, të rrezikuara nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit si pasojë e sulmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit. Me të cilin, sic kujton Corriere della Sera, Meloni e ka theksuar se “jemi dhe mbetemi aleatë, por këtë herë nuk jemi dakord”.
Qëndrimi i Melonit është një distancim i qartë nga Donald Trump, një ndryshim i dukshëm krahasuar me deklaratat e saj të para mbi luftën kundër regjimit iranian.
Kjo për gazetën e njohur, është një mënyrë manovrimi për të shmangur që qëndrimi i presidentit amerikan të ketë kosto politike në Itali. Në të njëjtën kohë është një qëndrim në vijimësi me politikën e Melonit ndaj Uashingtonit: disa muaj më parë për Groenlandën dhe javën e kaluar duke ndaluar përdorimin e bazës ushtarake të Sigonellës “jashtë protokolleve të NATO-s”.
Top Channel