Bosnja Hercegovina do të jetë skuadra me të cilën do të përballet Italia në finalen e playoffit të Botërorit të kësaj vere me të dyja skuadrat që do të kërkojnë të kthehen në një kompeticion të tillë pas pak më shumë se një dekade.

Miralem Pjanic flet për këtë përballje në një intervistë për ‘La Gazzetta Dello Sport’ dhe flasim për dikë që e njeh në perfeksion skuadrën e Bosnjes, pjesë e së cilës ai ka qenë në periudhën 2008-2024

Pjanic, të habit kjo finale?

‘Nuk më habit, le të themi që është sfida që shpresoja të shihja. Bosnja luan në shtëpi, padyshim, Italia është në zemrën time njësoj sikur të ishte vendi im. Ne ëndërrojmë të shkojmë në Botëror, edhe ju. Të shohim si do të përfundojë’

Si përjetohet nga anët tuaja ndeshja?

‘Si një event historik. Bosnja do të ndalet për disa orë; 3 milionë njerëz do të mbështesin skuadrën tonë. Në stadium do të jetë një atmosferë e zjarrtë që nuk është parë kurrë. Do të mbeteni të shokuar nga pasioni ynë’

Në çfarë kuptimi?

‘Në Zenica do të jetë zjarr.  Nuk do të jetë e këndshme për italianët të jenë aty, besomëni. Kam parë futbollistët të motivuar dhe të sigurt te vetja. Për 90 minuta ose më shumë nuk do të jetë thjesht një ndeshje futbolli, do të jetë një betejë sportive’.

E megjithatë disa lojtarë të Italisë festuan pasi panë rezultatin e penalltive në Cardiff. Nuk duken të trembur

‘Sinqerisht nuk e kuptoj përse…Bosnja i pret krahëhapur. Do të shohim si do të shkojë. Italia është Itali dhe ne e respektojmë shumë. Por kushedi; do të duhet të jenë të aftë të menaxhojnë ndeshjen në një ambient të tmerrshëm. Do të duhet personalitet për të dalë nga Zenica me një fitore’

Ndërkaq, eliminuat Uellsin; nuk ishte e lehtë

‘Por rezultati është aty. Bosnja po rinis gjithçka përmes një brezi të ri futbollistësh që po fitojnë vetëdijen për forcën e tyre. Trajnero Barbarez ka krijuar një grup shumë të mira. Koezioni në këtë moment është elementi më i rëndësishëm i kombëtares sonë’.

Por ai që zgjidh situatat është 40 vjeç dhe quhet Edin Dzeko. Pa të nuk do të kishit shkuar te penalltitë.

‘Ë​shtë e pabesueshme ajo që ai çfarë po bën. Pavarësisht moshës, vazhdon të shënojë gola vendimtare. është një nga ata futbollistë klasi që në mënyrë të papritur të zgjidhin ndeshjet, siç u pa në Uells. Jemi shumë të lumtur që e kemi ende në fushë. Uroj që kjo të përsëritet të martën’.

Do t’i japësh ndonjë këshillë Barbarez për të mposhtur Italinë? 

‘Jo,  Sergej nuk ka nevojë për këshillat e mia. Besoj tek ai dhe kimia që është krijuar në grup. Bosnja nuk bën një futboll spektakolar, beson shumë te veprimet individuale, por ka rigjetur kënaqësinë për të përfaqësuar vendin’.

Tre talente që si agjent lojtarës do t’iu rekomandoje klubeve italiane?

‘Alajbegovic e keni parë, është 19 vjeçar me të ardhme të ndritur. Jo vetëm sepse gjuan penalltitë…Shënoni edhe Dedic mbrojtësin e krahut të Benficas e Bajraktarevic, sulmues i djathtë që gjuan me të majtën i PSV, ëshë 21 vjeç. Ndërsa, Muharemovic e njihni. Edhe unë, duke qenë se stërvitej me ne edhe kur unë isha në muajt e fundit te Juventus’

Çfarë përshtypje të lë Italia e Gattusos?

‘Për mendimin tim jeni akoma një prej skuadrave më të forta në qarkullim dhe Rino ka punuar shumë mirë. Fati i keq ishte se kishte  Norvegjinë në grup që bëri një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Ne urojmë që të martën të ndjeni presionin e një dështimi të mundshëm. Për Italinë nuk është e pranueshme që të mbetet jashtë Botërorit 3 herë radhazi’.

Në Amerikë kush fiton?

’Skuadra ime favorite është Spanja që me Pedrin dhe Yamal ka me të vërtetë shumë kualitet, mbi mesataren. Pastaj kam Brazilin, Argjentininë  dhe Portugalinë,  që mund të shkojë deri në fund’.

Titulli në Serie A është i Interit?

‘Shoh një kompeticion akoma të hapur edhe pse Interi ka fituar një avantazh të mirë dhe mund ta menaxhojë deri në fund të sezonit’.

Një nga skuadrat ‘e tua’ italiane, Roma apo Juventusi, a do të hyjë në zonën Champions?

‘Nuk është e lehtë sepse është edhe Como që po ecën shumë mirë. Me siguri do të jetë thelbësore për të dy skuadrat që të hyjnë mes 4 më të mirave. Në futbollin modern, Champions League përmirëson gjithçka, sidomos Botërori’.

Top Channel