“23 vjeçe është pak e madhe për ty”/ Dalin email-et tronditëse, agjenti i modeleve i lutej Jeffrey Epstein të kryente marrëdhënie me vajza 18-vjeçare

28/03/2026 07:37

Një agjent modelesh në SHBA i prezantonte vajza, disa prej tyre vetëm 18 vjeç, financierit famëkeq Jeffrey Epstein dhe madje i lutej që të kryente marrëdhënie seksuale me to, sipas një serie email-esh të publikuara së fundmi.

Ramsey Elkholy i dërgoi qindra email-e Epstein-it gjatë pothuajse një dekade, ku diskutonte trupin e vajzave dhe qëndrimet e tyre ndaj seksit. Ai sugjeronte gjithashtu që mund të takonin më shumë gra duke investuar në industrinë e modës dhe modelimit në Brazil.

Në një komunikim të vitit 2011, Elkholy përshkroi një grua në të 20-at si “të dëshpëruar për para” dhe i shkroi Epstein-it: “I dashur Jeffrey, të lutem provoje në shtrat.”

Në një reagim për BBC, Elkholy tha se i vjen keq për gjuhën e përdorur në disa prej email-eve dhe për lidhjen me Epstein, duke shtuar se nuk kishte dijeni për abuzimet që ai kryente ndaj grave.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, tregojnë se komunikimi mes tyre ka zgjatur nga viti 2009 deri pak para vdekjes së Epstein në 2019, dhe në shumë raste fokusohej te ‘aksesi’ ndaj modeleve femra.

Email-et hedhin dritë mbi mënyrën se si Epstein kishte ndërtuar lidhje të gjera në industrinë ndërkombëtare të modës, të cilat i përdorte për të pasur akses te gra dhe vajza. Sipas FBI, numri i viktimave të tij mund të arrijë deri në 1,000 gra dhe vajza.

Në mesazhe përmenden edhe lidhje me industri të njohura si Victoria’s Secret, në pronësi të biznesmenit Les Wexner, si dhe marka Vera Wang. Dokumentet sugjerojnë gjithashtu kontakte me agjentin francez Jean-Luc Brunel, i cili u gjet i vdekur në burg në Paris në vitin 2022, ndërsa hetohej për trafikim dhe abuzim seksual të të miturve.

Në një email të vitit 2009, Elkholy i shkruante Epstein-it: “Ti je një njeri i fortë Jeffrey dhe kjo do të thotë shumë për mua”, edhe pse ky i fundit sapo ishte liruar nga burgu për një çështje që përfshinte një të mitur.

Në mesazhe të tjera, Elkholy diskutonte hapur për moshën dhe pamjen e vajzave, duke përmendur se disa ishin 18 apo 19 vjeç, ndërsa në një rast shkruante: “E di që 23 vjeç është pak e madhe për ty”, duke iu referuar preferencave të Epstein.

Email-et përmendin gjithashtu modelen Ruslana Korshunova, e cila kishte vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe në moshën 18-vjeçare. Ajo humbi jetën në vitin 2008 pasi ra nga një ndërtesë në Nju Jork, rast i cilësuar si vetëvrasje nga autoritetet.

Në vitet në vijim, Elkholy vazhdoi të propozojë ide për investime në Brazil, duke sugjeruar konkurse mode dhe revista që do t’i siguronin Epstein-it akses ndaj një numri të madh vajzash.

Komunikimi mes tyre vazhdoi deri në vitin 2019, kur Epstein u arrestua për herë të dytë. Në mesazhet e fundit, ata diskutonin ende për sjelljen e një gruaje ruse në SHBA, përmes vizave studentore apo rrugëve alternative.

Top Channel