Pogradeci në prag të sezonit të ri turistik, nis aksioni i pastrimit nga Qafë Thana deri në bregun e liqenit të qytetit

24/03/2026 16:19

Në prag të sezonit të ri turistik në Pogradec është ndërmarrë një aksion i madh pastrimi.

Pjesë e tij ishin ndërmarrje në varësi të bashkisë Pogradec, kompani private si dhe nxënës të shkollave të qytetit. Aksioni ka nisur që në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, si pjesa prezantuese hyrëse për turistët e huaj, ka vijuar përgjatë gjithë aksit nacional Qafë Thanë Pogradec si dhe në bregun e liqenit të qytetit.

“Ditën e sotme bashkia Pogradec ka zhvilluar një aksion të gjerë për pastrimin e territorit. Fokus ishin bregu i liqenit, akset nacionale dhe xhepat e rrugës përgjatë tyre. Janë angazhuar ndërmarrja e punëve publike, e parqeve, firma e pastrimit si dhe kompania 2T si edhe fëmijët e shkollave pas procesit mësimor. Ky është një aksion që bashkia e ndërmerr periodikisht për të pasur një ambient sa më të pastër”, u shpreh Zv/kryetari Paskalino Ziko.

Aksionet e pastrimit sipas Zikos do të vijojnë edhe në një fazë të dytë në mënyrë që gjithçka të jetë gati për sezonin turistik ndërsa apeloi që qytetarët të mos hedhin mbetje urbane në mënyrë të parregullt.

“Për pak kohë hyjmë edhe në sezonin turistik dhe parapërgatitjet nisin që në këtë kohë nga ana e bashkisë dhe pastrimi për ne si qytet turistik është nga objektivat kryesorë. Patjetër që bashkëpunimi me qytetarët është shumë i rëndësishëm pasi sado aksione të bëhen ato nuk kanë vlerë nëse nuk kemi mirëkuptimin qytetar për të respektuar vendet e hedhjes së mbeturinave, në mënyrë që të mos hedhin mbeturina nëpër lumenj, nëpër parqe etj”, tha ai.

Ndotja më e madhe është konstatuar përgjatë aksit nacional Qafë Thanë-Pogradec 22 km i gjatë, ndotje e cila shkaktohet më së shumti nga drejtuesit e automjeteve që i hedhin mbetjet pas konsumit nga xhamat e makinave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB