“Do të bllokojmë të gjithë Gjirin Persik”/ Irani paralajmëron vendet armiqësore: Nëse sulmoni ishujt tanë, do të vendosim mina detare që…
Bashkim Asllani, sot 82 vite kujton me nostalgji punën për mbi gati dy dekada në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”.
Në 80-vjetorin e krijimit të shtëpisë kinematografike, operatori dhe fotografi vendosi t’i dhurojë Arkivit të Filmit fotonegativët e fondit të tij vetjak.
110 fotonegativët që i ka ruajtur me fanatizëm ndër vite, dëshmojnë vende, njerëz dhe ngjarje sociokulturore që lidhen me Ish-Kinostudion dhe aktivitetin e saj.
Në “Exclusive” në Top Channel, Bashkim Asllani na tregon disa nga materialet filmike dhe fotot e paplikuara më parë nga momente historike, përfshirë trazirat e ‘97, emigrimin e shqiptarëve drejt Italisë apo eksodin e shtetasve të Kosovës gjatë luftës.
Bashkim Asllani u bë pjesë e Kinostudios në vitin 1968. Fillimisht u bë pjesë e produksioneve filmike si asisent operator, ku punoi për rreth 15 filma artistikë dhe më pas si operator në lajme dhe filma dokumentarë.
Realizimi i filmave artistikë ishte një përvojë tjetër që i përballte artistët me sprova të reja, madje dhe me censurë. Por, drejtimi i projekteve kinematografike nga profesionistë të mëdhenj, sikurse regjisori Dhimitër Anagnosti, ishte garanci për suksesin në sheshxhirim.
Në “Exclusive” Asllani flet për filmin “Vëllezër dhe shokë”. Drama me regji të Anagnostit tregon historinë e një aktivisti komunist që kthehet në fshatin e tij dhe gjen një kauzë të përbashkët me fshatarët protestues.
Filmi zhvillohet gjatë pushtimit italian të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, por pas montazhit, u bllokua për shkak të disa skenave, veçanërisht për abuzimin seksual të Lenës nga pushtuesit italianë kur merr dru në mal.
“Ministria e hoqi të gjithë skenën e përdhunimit dhe e le si tentativë përdhunimi. Kjo vajza ishte një gjimnaziste që tregonte tiparet e një fshatareje, Anagnosti i zgjidhte vetë të gjithë aktorët, kishte një përzgjedhje të jashtëzakonshme (përzgjedhja e kastit). Ishte më pas skena që do të takonte të fejuarin pas asaj që kishte ndodhur. Por, ajo nuk ishte aktore dhe e kishte të vështirë të hynte në rol, qeshte”, rrëfen Bashkim Asllani.
Top Channel