Pasojat e luftës në Lindjes së Mesme, Rama takim me furnizuesit e naftës: Më mirë marzh më i ulët fitimi sesa bordin në kurriz

18/03/2026 13:40

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e naftës për të përballuar së bashku impaktin e krizës aktuale globale, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.

Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të ngrihet një bord për monitorimin e naftës, ndërsa iu drejtua furnizuesve se do të jetë më mirë për të që të kenë një marzh më të ulët fitimi sesa bordin në kurriz.

Nga ana tjetër, ne kemi në konsultim publik ligjin për rezervën shtetërore, e cila do duhet të shtrihet fizikisht në 100 ditë, në tre muaj më saktë dhe me dy fjalë dua t’ju them, që ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor garant dhe distributor shumice një faktor shtetëror, gjë që ne besojmë do ta bëjë më të lehtë dhe për ju të gjithë punën pasi do i garantojë sasitë e nevojshme, duke pasur mbështetjen shtetërore dhe nga ana tjetër do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon nëpërmjet brokerave ndërkohë që ne do të synojmë të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë.
Kjo është pak a shumë pasqyra e përmbledhur që unë doja të bëja.

Dua ta mbyll duke ju kërkuar që të ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani. Ne nuk kemi parë të arsyeshme dhe duke u nisur nga komunikimet e mëparshme me ju përmes ministrave që të hedhim hapim dhe të kalojmë në bord pasi në fund të ditës nëse dialogu funksionon siç ka funksionuar deri tani ne qëllimin nuk e kemi që t’ju shtrëngojmë juve në punën tuaj. Qëllimin e kemi që bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Ky është gjithë qëllimi ynë. Natyrisht, kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta sesa bordin në kurriz. Ky është përfundimi në të cilin ne kemi dalë.

Në ndërkohë po ja kaloj fjalën Ministres së Ekonomisë për të bërë një pasqyrë pak më të detajuar, duke pasur parasysh që ndryshe nga takimet e tjera këtë takim po e bëjmë edhe për të informuar publikun dhe këto janë gjëra që përgjithësisht ju i dini, por le t’i dinë dhe të tjerët që të kuptojnë që nëse ka një rritje të çmimit, rritja e çmimit është e moderuar krahasimisht me çfarë ndodh në bursë dhe është rezultat i kësaj qasjeje konstruktive që edhe ju keni pasur deri tani.“, tha Rama.

Top Channel